Komisioni Qendror Zgjedhor ka zhvilluar sot mbledhje në të cilën është diskutuar edhe lidhur me koston e zgjedhjeve të parakohshme të cilat u zhvilluan më 14 shkurt të këtij viti.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, këto zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Kosovës i kushtuan buxhetit të vendit 4 milionë e 469 mijë e 764 euro.Poashtu u theksua se planifikimet për koston e këtyre zgjedhjeve kanë qenë në shumën e 5 milionë e 578 mijë e 712 euro. Po ashtu, sipas raporteve të KQZ-së, këto zgjedhje kushtuan më pak se ato të vitit 2019, të cilat kishin kushtuar rreth 5.2 milionë euro.Ndryshe zgjedhjet e 14 shkurtit u zhvilluan pasi Gjykata Kushtetuese mori vendim për rrëzimin e Qeverisë Hoti pasi në bazë të vendimit të tyre vota e ish-deputetit Etem Arifi kishte qenë e pavlefshme.Kësisoj nga zgjedhjet e 14 shkurtit parti fituese doli të jetë Lëvizja Vetëvendosje, duke vazhduar me Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës e partitë e tjera në vend.Nga këto zgjedhje, Vetëvendosje po drejton vendin për të dytën herë me radhë, në krye me Albin Kurtin.