Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj të pandehurit E.M. nga Ferizaj, nën dyshimet se ka kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik.
Dje në orën 15:37, në rrugën Ferizaj-Shtime, në fshatin Koshare, i pandehuri E.M., duke drejtuar automjetin e markës “Audi A8”, tejkalon në vijë të plotë dhe kalon në shiritin e majtë rrugor dhe me pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e markës “Golf II”, i cili po lëvizte nga drejtimi i kundërt, transmeton lajmi.net.Me këtë rast kanë humbur jetën katër persona që ndodheshin në automjetin “Golf II”, ndërsa lëndime të rënda trupore pëson pasagjerja I.R., e cila është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për tretman të mëtejmë. I pandehuri E.M. është ndaluar për 48 orë.