Në Ditën Botërore të Mjedisit, tri institucione në Kosovë kanë nisur kampanjën për ambient më të pastër.
Presidentja Vjosa Osmani bashkë me ministrin Liburn Aliu dhe Faton Peci kanë njoftuar se për një vit do të mbjellin 1 milion drunj në gjithë vendin. Këtë e kanë konsideruar hap të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit. Për këtë u kanë bërë thirrje partnerëve të Kosovës që të bashkohen në këtë rrugëtim.Presidentja Vjosa Osmani përmes video-kampanjës, së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, kanë treguar për nismën e mbjelljes së 1 milion drunjve.Kryetarja e shtetit ka thënë se koha është për të lëvizur nga fjalët në vepra.“Gjersa po punojmë vazhdimisht për të siguruar një ri ngritje të qëndrueshme pas pandemisë, e kemi të qartë se çfarëdo që do të ndërmarrim nuk mundemi kurrsesi ta bëjmë atë duke anashkaluar mbrojtjen e mjedisit. Përkundrazi, mbrojtja e mjedisit është prioriteti ynë i përbashkët. Prandaj kemi bashkuar forcat për të filluar kampanjën nëpërmjet të cilët synojmë mbjelljen e 1 milion drunjve gjatë ditëve në vijim”, ka thënë Osmani.Ministri i Ambientit, Liburn Aliu ka theksuar se presin që numri i institucioneve që do të bashkohen në këtë kampanjë të rritet.“Sfidat i kemi të shumta e të përbashkëta, por besoj fuqishëm që nga sot po hapim një kapitull të ri të mentalitetit qeverisës në vend. Sot po iu drejtohem në emër të tre institucioneve të cilat vendosën që të hedhin hapin e parë në këtë drejtim. Shpresoj që nga dita në ditë numri i institucioneve bashkëpunuese në këtë nismë të sodit të rritet sepse jemi të përkushtuar të mbrojmë mjedisin”, ka potencuar Aliu.Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka ftuar të gjithë që të bëhen bashkë për mbjelljen e 1 milion drunj në gjithë vendin.“Shpyllëzimi në vendin tonë ka arritur në nivele shqetësuese e ndotja e ajrit mbetet ndër problematikat kryesore ndër vite. Prandaj të angazhohemi së bashku sot në mënyrë që e ardhmja të frymojë lirshëm nesër. E meritojmë të gjithë pa dallim që aktivitetet tona sociale e ekonomike t’i zhvillojmë në një mjedis më të shëndosh”, ka potencuar ai.Në përfundim të kampanjës, presidentja Osmani ka ftuar partnerët vendor dhe ndërkombëtarë që të bashkohen në këtë kampanjë për mbrojtjen e mjedisit.