Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia po raporton para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.
Vitia është pyetur nga anëtari i këtij komisioni nga radhët e PDK’së, Bekim Haxhiu, në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar me Pfizer për furnizimin me 1.2 milion vaksina.
Ndërsa, ai ka kërkuar nga Vitia që t’i kërkoj falje qytetarëve për vonesën në sigurimin e vaksinave dhe dështimin në procesin e vaksinimit.
Ndërsa, ministri Vitia me të marrë fjalën duke folur në tone të larta, ka thënë se negociatat për sigurimin e kontratave kanë filluar në dhjetor të vitit 2020, atëherë kur ai nuk ka qenë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërsa, deputeti Haxhiu i ka thënë Vitisë që të mos nervozohet. “Ministër mos u nervozo”, ka thënë ai.
Vitia ia ka kthyer duke thënë “Larg qoftë, me ju nuk bëhem nervoz”.
Përndryshe, Vitia ka thënë se nuk mund të jep më shumë detaje për marrëveshjen e nënshkruar me Pfizer për sigurimin e vaksinave, pasi që sipas tij, kështu e obligon marrëveshja e konfidencialitetit e nënshkruar nga ish-ministri Armend Zemaj.
Deputeti Haxhiu ka kritikuar Vitinë për vonesa në procesin e vaksinimit, derisa ka thënë se situata është në keqardhje.
Ai është shprehur se derisa Shqipëria ka vaksinuar 800 mijë persona me dozën e parë, Kosova ka vaksinuar rreth 65 mijë.
Derisa, ai ka përmendur edhe vaksinimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi.
“Ndoshta ju mund të mburreni me këtë dështim, por situata është në keqardhje. Shqipëria ka vaksinuar 800 mijë persona me dozën e parë. Kosova ka afro 65 mijë vaksinime me dozën e parë dhe zero vaksinime me dozën e dytë. Këtë dështim e ka shfrytëzuar Serbia që ka bërë rreth 30 mijë qytetarë të Kosovës”, ka shtuar ai.