>Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci kanë bërë përurimin e çerdhes së parë publike në Prizren.
Kurti me këtë rast tha se në programin e tyre fëmijëve u është kushtuar vëmendje e veçantë duke u ndarë fëmijëve deri 2 vjet 20 euro në muaj.
Madje ai ka premtuar se do të hapen 160 çerdhe të reja për 4 vitet e ardhshme.
“Kur fëmija hyn në klasë nuk ka rëndësi se prej nga vjen e çfarë statusi kanë prindërit e saj por kush është mësuesi. Kam folur edhe për rëndësinë e prindërve që kanë ndaj fëmijëve për tu siguruar që ata t’i bëjnë detyrat e shtëpisë dhe të kufizojnë kohën në televizor e tablet. Kam folur edhe përgjegjësinë që ka shteti si mbikëqyrës për sigurimin e mundësive të barabarta të mirëqenies sonë të përbashkët”.
“Në Prizren nuk ka pasur asnjë institucion parafillor publik, por kemi 8 të tilla private e sot kemi një ngjarje kaq të rëndësishme me hapjen e parë të çerdhes publike. Mu bë zemra mal që këtu kemi 220 fëmijë që do të edukohen nga edukatoret që do të kujdesen për formësimin e karakterit te tij. Në programin tonë u kemi kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve ku u kemi ndarë fëmijëve deri 2 vjet 20 euro në muaj. Dhe kemi premtuar se do të hapim 160 çerdhe të reja për 4 vitet e ardhshme”.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se gjendjen në edukimin parashkollor nuk është e mirë, ku statistikat thonë se 7 për qind e fëmijëve 0 deri në 5 vjeç janë pjesë e procesit arsimor.
“Urime 1 Qershori të dashur fëmijë. Është kënaqësi të je në këtë ambient të këndshëm ku u ofrohen mundësi edhe fëmijëve të Komunës së Prizrenit”.
“Ndihem e plotësuar që këtu po hapet çerdhja e parë publike dhe poashtu e lumtur që do të hapen edhe çerdhe të reja. Ju dëshiroj momente të këndshme e edukim të mirë të gjithë vogëlushëve të kësaj çerdheje”.
“Secili prej nesh kemi një rol të rëndësishme që edukimi që ofrohet të jetë më i miri që u japim fëmijëve tanë. Për momentin nuk e kemi të mirë gjendjen në edukimin parashkollor, ku statistikat thonë se 7 për qind e fëmijëve 0 deri në 5 vjeç vijojnë ndonjë formë të edukimit parashkollor”.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka tha se drejta e fëmijëve për të ndjekur mësimin e hershëm ishte mohuar në Prizren për 20 vjet, duke shtuar se çerdhet e privatizuar do t’i kthejnë në publike.
“Fëmijëve ju uroj 1 Qershorin. Ne çdo ditë e kemi ditë të fëmijëve pasiqë çdo ditë duhet të punojmë me ta. Ky është një rast i veçantë andaj zgjodhëm që të përfundojmë këtë godinë për 2 vite e gjysmën duke hapur çerdhen e parë publike këtu në lagjen ‘11 marsi’”.
“E drejta e fëmijëve për të ndjekur mësimin e hershëm ishte mohuar në Prizren për 20 vjet. Ne e kemi adresuar këtë problem. Së shpejti do të përfundoj edhe çerdhja në lagjen ‘Dardania’, në ‘Bajram Curr; do të përfundoj në shtator. Çerdhen e privatizuar të Prizrenit do ta kthejmë në publike. Emri i çerdhes të propozoj të jetë ‘Artan Dehari’”.