Të mërkurën pritet të merret vendimi rreth lirimit të masave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, iu ka kërkuar hotelierëve që t’i japin kohë deri të mërkurën në përfundim të orarit të tij të punës për të vendosur për lirim të masave. Kjo gjë është bërë e ditur nga vet Oda e Hotelerisë dhe Turizmit që ka thënë se i kanë premtuar ministrit që nuk do të ndërmarrin asnjë veprim deri të mërkurën për të pritur vendimin shtetëror, pasi edhe vet ata “kanë shumë shpresë dhe kanë marrë premtime nga takimi me ministrin Vitia që do të lirohen masat për sektorët e mbyllura”.

“Vitia ka kërkuar t’i jepet kohë deri me 26.5.2021 në ora 16:30, sepse sipas tij ishte duke pritur disa rezultate të hulumtimeve që janë duke u bërë në terren, dhe kjo ishte arsyeja që akoma nuk po marrin një vendim për lirimin e masave ndaj sektorëve që akoma qëndrojnë mbyllur”, thuhet në komunikatën e OHT.

Kjo Odë kërkon që të merret vendim i ri që lejon të organizohen dasmat, të hapen pishinat e në mënyrë që të punojnë edhe këngëtarët, kompanitë e dekoreve dhe të gjithë sektorët e tjerë. Shoqata e Gastronomëve ka paralajmëruar se të martën do të ndërmarrë një protestë, por që e njëjta nuk do të përkrahet nga Oda e Hotelirisë dhe Turizmit.

 

“Edhe pse kemi marrëdhënie shumë të mira me të gjitha organizatat dhe shoqatat e tjera si motra, nuk do të përkrahim asnjë iniciativë të ndërmarrë dhe do t’i qëndrojmë në fjalë z. Arben Vitia. Kjo do të vlejë deri më datë 26.5.2021 në ora 17:00, dhe pastaj OHT do t’iu mbajë të informuar për çdo gjë”, përfundon komunikata.