Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj rastit të iniciuar për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, kjo pas publikimit të një informate të premten sipas të cilës ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka neglizhuar nënshkrimin e kontratës me kompaninë amerikane për furnizim me vaksina anti-COVID Pfizer dhe BioNtch.
Zëdhënësi I PDK-së, Avni Bytyçi përmes rrjetit social në Facebook ka shkruar se blerja e vaksinave asnjëherë e sidomos në rrethana të pandemisë, nuk është dhe nuk mund të jetë sekret.
Bytyçi thothë se qytetarët e Kosovës, mediat, organizatat e shoqërisë civile e sidomos nëpunësit e sektorit publik, nuk duhet të kenë frikë që t’i zbulojnë veprimet e dëmshme të një pushteti në çfarëdo rrethanash.
Ai po ashtu shkruan se Prokuroria e Shtetit në vend se të hap hetimet ndaj Arben Vitisë për rrezikimin e jetërave të qytetarëve për shkak të vonesave të qëllimshme për të siguruar vaksinat, ajo e bëri krejt të kundërtën.
U raportua për mos nënshkrimin e kontratës për furnizim me vaksinën Pfizer, prokuroria inicion rast për vepër penale ‘zbulimi i fshehtësisë zyrtare’
Bytyçi fton Prokurorinë e Shtetit në çdo nivel që mos të bëhen instrument i dhunës dhe frikësimit me urdhrat politik të Albin Kurtit, por siç tha ai ta bëjnë punën e tyre të pavarur larg çdo ndikimi.
Lexoni më poshtë postimin e tij të plotë:
Njoftimi nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se ka hapur hetim për “veprën penale të zbulimit të fshehtësisë zyrtare”, me urdhrin politik të Arben Vitisë dhe Albin Kurtit, është sulm direkt ndaj demokracisë sonë liberale dhe vlerave të saj.
Ligji për kategorizimin e një dokumenti sekret është rregulluar shumë qartë, blerja e vaksinave asnjëherë e sidomos në rrethana të pandemisë, nuk është dhe nuk mund të jetë sekret. Përkundrazi, për shkak të rrethanave nëpër të cilat po kalon Kosova, blerja e vaksinave është prioritet mbi çdo prioritet tjetër dhe transparenca për sigurimin dhe administrimin e tyre është gjëja më bazike që do të duhet të bëj qeveria e Albin Kurtit.
Qytetarët e Kosovës, mediat, organizatat e shoqërisë civile e sidomos nëpunësit e sektorit publik, nuk duhet të kenë frikë që t’i zbulojnë veprimet e dëmshme të një pushteti në çfarëdo rrethanash. Për këtë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka miratuar ligjin e veçantë për këtë kategori, ata janë të mbrojtur nga demokracia, kushtetuta dhe ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, Nr.6/L – 085.
Skandali me vaksinat Pfizer është shqetësues dhe dje Arben Vitia dhe Albin Kurti e patën mundësinë që të sqarojnë vërtetësinë e këtyre pretendimeve të rënda. Arben Vitia, si rrallë herë një ministër në Kosovë, ka kërcënuar haptas nëpunësit civilë dhe gazetarët që kanë publikuar dokumente kredibile mbi dështimin katastrofal të blerjes dhe administrimit të vaksinës.
Prokuroria e Shtetit në vend se të hap hetimet ndaj Arben Vitisë për rrezikimin e jetërave të qytetarëve për shkak të vonesave të qëllimshme për të siguruar vaksinat, ajo e bëri krejt të kundërtën.
Në fund, ftoj Prokurorinë e Shtetit në çdo nivel që mos të bëhen instrument i dhunës dhe frikësimit me urdhrat politik të Albin Kurtit, por ta bëjnë punën e tyre të pavarur larg çdo ndikimi!