Ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons edhe njëherë i është drejtuar me shkresë Kuvendit të Kosovës, me kërkesën që Komisioni Parlamentar për Legjislacion të dëgjojë deklarimet e tij lidhur me pretendimet për parregullsitë në funksionimin e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Këtë e ka bërë të ditur përfaqësuesi i tij në Kosovë, avokati Artan Qerkini i cili thotë se janë në pritje të një përgjigje nga komisioni. Kryetari i Komisioni për Legjislacion, Adnan Rrustemi, thotë se në mbledhjet e ardhshme do të vendosin për një datë kur do të dëgjojnë dëshminë e ish-gjyqtarit të EULEX-it.
Vitin e kaluar, ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons kishte deklaruar se ky mision në disa raste nuk i ka zbatuar parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm në Kosovë.
Për këto pretendime të tij, ai kishte kërkuar të flasë para deputetëve të Kuvendit Kosovës, për çka Komisioni për Legjislacion kishte caktuar 18 janarin e këtij viti si datë për të dëgjuar deklaratat e tij.
Por, një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të shpërndarjes së Kuvendit dhe shkuarjes së vendit në zgjedhje.
Tani kur është bërë konstituimi i komisioneve, përfaqësuesi i Simmons, avokati Artan Qerkini thotë se e kanë përsëritur kërkesën për dëshmi në Komisionin për Legjislacion.
“Ne e kemi përsëritur kërkesën për dëgjimin e zotit Simmons sepse tash e kemi një Komision për Legjislacion me përbërje të re, dhe nisur nga kjo që e thash e kemi parë të arsyeshme që ta përsërisim kërkesën, e për rrjedhojë presim që Komisioni për Legjislacion ta trajtojë këtë kërkesë dhe në mënyrën e duhur të na njoftojë nëse do të dëgjohet zoti Simmons. Kërkesën e kemi drejtuar tek kryetari i Kuvendit, sekretari dhe kryetari i Komisionit për Legjislacion”, thotë Qerkini.
Ai kishte parashtruar kërkesë edhe që të formohet një komision hetimor por që Komisioni Parlamentar për Legjislacion kishte vendosur që fillimisht të dëgjojë dëshminë e tij.
Në një bisedë për KosovaPress, Qerkini thotë që përmes kësaj synojnë vetëm zbardhjen e së vërtetës.
“Qëllimi kryesor është zbardhja e së vërtetës, nuk synohet që përmes këtij hetimi dikush të ndiqet në aspekt penal apo aspekt civil sepse ne të gjithë e dimë që pjesëtarët e misionit të EULEX kanë pasur imunitet. Mirëpo qëllimi i këtij hetimi parlamentar është që të hetohet nëse gjyqtarët e EULEX-it në disa prej rasteve mjaftë të ndjeshme i kanë zbatuar parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, parime këto të sanksionuara me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me Kushtetutën për Republikën e Kosovës”, shton Qerkini.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Adnan Rrustemi thotë për KosovaPress se komisioni do të vazhdojë punët e mbetura nga legjislatura e kaluar dhe se në një nga mbledhjet e ardhshme do të caktojnë një datë për të dëgjuar raportimin e Simmons.
“Në një nga mbledhjet e ardhshme, ende nuk e dimë kur, por gjithsesi do të vazhdohen këto procese të mbetura, dhe natyrisht në diskutim edhe me anëtarët e komisionit do të caktojmë një ditë, një datë kur do të realizohet ky raportim gjithnjë në koordinim me zotërinë. Ne presim të dëgjojmë zotërinë (Simonns) për argumentet e manifestuara ose të dhëna në mënyra të ndryshme. Mendoj që është gjithmonë e rëndësishme që institucionet e Kosovës, trupat e Kuvendit, të informohen edhe për këto aspekte të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë siç ka qenë EULEX-i dhe të shihet se çka mund të adresohet në të ardhmen”, thotë ai.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë se një hetim parlamentar për të zbardhur të vërtetën rreth periudhës kur misioni i EULEX-it ka pasur pushtet në trajtimin e lëndëve në Kosovë, do t’i ndihmonte shtetit që në të ardhmen mos të përsëriten gabime të tilla në sistemin e drejtësisë.
“Nëse marrim për bazë faktin që fatkeqësisht Kosova ndoshta epokën më të zezë kur ka filluar kapja e shtetit apo kur kanë munguar rezultatet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka qenë në kohën kur EULEX-i e ka pasur këtë mandat, me vet faktin që Kosova nuk ka mundur të përmbushë kriteret për liberalizim të vizave, që kërkohen prape, rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit në kohën e EULEX-it, sigurisht që një hetim parlamentar, një zbardhje e të vërtetës do t’i shërbente në të ardhmen Kosovës për të mos i përsëritur gabimet që i ka bërë EULEX-i apo sistemi i drejtësisë në atë kohë”, thotë Miftaraj.
Vitin e kaluar, ish-gjyqtari i EULEX, Malcolm Simmons kishte kërkuar të raportojë para Komisionit Parlamentar për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, lidhur me deklarimet e tij se ka pasur shkelje gjatë misionit të sundimit të ligjit në disa çështje të profilit të lartë në Kosovë.
Raportimi i tij mund të realizohet vetëm përmes formës elektronike, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.