Analisti politik dhe njëherit profesori i Filozofisë, Blerim Latifi, ka reaguar ndaj fjalimit të para disa ditëve të Donika Gërvallës në OKB.
Me anë të një postimi në Facebook, Latifi ka përmendur faktin se Gërvalla ka nënvizuar një “gjenocid ndaj serbëve nga gjermanët në Jugosllavi”.
Kjo, sipas Latifit është fakti i pavërtetë i nxjerrur nga regjimi i Titos.
“Për më keq, ajo nuk lë pa kujtuar bombardimin e Beogradit nga gjermanët në prillin e vitit 1941, por harron të na thotë se çka përfaqësonte për shqiptarët e Kosovës Beogradi i vitit 1941. E pra le të marrë vesh: asgjë më pak se kryeqytetin e një shteti, i cili nga viti 1877 e deri në ditën e bombardimit gjerman, kishte vrarë qindra mijëra shqiptarë, kishte kryer spastrimin e parë etnik në Europë duke dëbuar 300 mijë shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit, kishte larë në gjak të shqiptarëve gjithë Kosovën me 1912 e 1919 dhe nuk kishte lënë mjet pa përdorur për t’i zhdukur ata përfundimisht nga Kosova”, ka shkruar Latifi.
Postimi i plotë:
Një shkrim i Xhemal Ahmetit më bëri që ta lexoj më vëmendje fjalimin e Donika Gërvallës të mbajtur në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Nuk po u besoja syve çfarë po lexoja. Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e përmend si fakt historik gënjeshtrën e regjimit të Titos mbi gjenocidin gjerman në Jugosllavi, regjimit i cili qëndron prapa vrasjes së babait të saj. Si është e mundur një shkarje e tillë historike e morale? Për më keq, ajo nuk lë pa kujtuar bombardimin e Beogradit nga gjermanët në prillin e vitit 1941, por harron të na thotë se çka përfaqësonte për shqiptarët e Kosovës Beogradi i vitit 1941. E pra le të marrë vesh: asgjë më pak se kryeqytetin e një shteti, i cili nga viti 1877 e deri në ditën e bombardimit gjerman, kishte vrarë qindra mijëra shqiptarë, kishte kryer spastrimin e parë etnik në Europë duke dëbuar 300 mijë shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit, kishte larë në gjak të shqiptarëve gjithë Kosovën me 1912 e 1919 dhe nuk kishte lënë mjet pa përdorur për t’i zhdukur ata përfundimisht nga Kosova. Historiografia na tregon se viktimat kryesore të nazizmit në Jugosllavi, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishin hebrenjtë, ndërsa viktimat e etnive tjera në shumicën e tyre ishin pasojë e luftës civile midis ustashëve dhe partizanëve, si dhe midis këtyre të fundit dhe çetnikëve serbë.