Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba i është përgjigjur akuzave të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj i cili e quajti Zybën sekser klasik për trafikim të votave.
Në një prononcim për Telegrafin, deputeti Zyba ka thënë se të gjitha këto janë të pavërteta dhe shpifje të nivelit të ulët.
“Janë të pavërteta, janë shpifje të nivelit më të ulët nuk konsideroj që z.Haradinaj do të duhej të merrej me dezinformata. Haradinaj merret me spekulime me të pavërteta e kuptoj se mund të jetë i dëshpëruar shkaku i rezultatit të zgjedhjeve”, tha Zyba.
I pyetur se a është takuar me ndonjërën nga deputetet e AAK-së, për të biseduar rreth procesit të votimit për presidenten Vjosa Osmani, Zyba u shpreh se me deputetet ka raport kolegial.
“Unë vi nga Theranada, dhe dy nga deputet e AAK-së vijnë nga Theranda. Në të kaluarën kam pasur kontakt me to kolegialisht, por jo me spekulimin që e përdor z.Haradinaj në formën e blerjes, shantazhit, seksizmit apo çfarëdo shprehej që përdor ai që nuk do të duhej të ekzistonte në fjalor. Pavarësisht që janë të pavërteta ndihem keq për mënyrën kush i thotë ato”, u shpreh ai.
Ndryshe, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj sot në konferencë për media akuzoi deputetin Salih Zyba se u ka shkuar në shtëpi deputetëve për të kërkuar votë për Vjosa Osmanin.
“Salih Zyba është sekser klasik i cili ka marr përsipër në emër të partisë së vet trafikimin e votave. Kjo është e vërtetë dhe për këtë njerëzit janë gjallë, gjithë janë aty….nëse insiston e ballafaqojmë edhe me deputetët edhe me ata që u ka shku në shpi…”, tha Haradinaj.