Policia me aksion anembanë vendit, kontrollon autobusët, qendrat tregtare e lokalet afariste

Policia e Kosovës është referuar vendimeve të institucioneve të vendit si dhe referuar planifikimeve operacionale policore ka realizuar sot disa kontrolle lidhur me respektimin e masave antiCOVID.

Në bazë të njoftimit theksohet se planifikimet operacionale kanë për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin dhe parandalimin e rreziqeve nga virusi COVID-19 si dhe përballjen me situatën e këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë.

“Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës është duke realizuar detyra konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa.Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që t’u përmbahen rregullave dhe t’i respektojnë masat anti-COVID, të mbajnë distancën, të vendosin maskën dhe të pastrojnë duart”, thuhet në njoftim.