Analistët: Asociacioni do të jetë pjesë e marrëveshjes finale

Nëse marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të arrihet deri në mars të vitit të ardhshëm, atëherë edhe formimi i Asociacionit do të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje, pasi palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura më parë.
Kështu vlerësojnë njohës të proceseve politike në vend, derisa thonë se Qeveria nuk duhet ta pranojë një asociacion me kompetenca ekzekutive.

Kryeministri Albin Kurti, ka përmendur edhe njëherë që marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ndodhë në mars të vitit të ardhshëm. Pjesë e kësaj marrëveshjeje do të mund të jetë edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Arton Demhasaj, nga Organizata “Çohu”, ka thënë se nëse marrëveshja do të arrihet sipas drafteve të publikuara deri më tani, atëherë themelimi i Asociacionit është i pashmangshëm, pasi kërkohet nga të dyja palët që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tani.

“Me arritjen e marrëveshjes finale, e cila pretendohet që do të arrihet shpejt, njëkohësisht do të jetë e përfshirë në mënyrë indirekte edhe çështja e krijimit të asociacionit, që i bie zbatimi i marrëveshjeve të arritura më parë në Bruksel”, deklaroi Demhasaj për Radio Kosovë.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, tha se pavarësisht çfarëdo marrëveshje, Qeveria e Kosovës nuk duhet ta pranojë formimin e Asociacionit, pasi siç e quajti ai, formimi i tij është zhbërës i shtetit të Kosovës.

“Asociacioni nuk duhet pranuar, sepse është toksik, helmues dhe zhbërës, fatkeqësisht duhet ta përmendi këtë fjalë, pra është zhbërës i shtetit të Kosovës”, deklaroi Baraliu për Radio Kosovën.

Baraliu, po ashtu tha se nuk është optimist që mund të arrihet marrëveshja deri në mars të vitit tjetër ashtu siç po proklamohet, pasi që Serbia nuk është e interesuar në këtë kohë fare për t’u arritur një marrëveshje.