Arrestohet për marrje ryshfeti zyrtari i Gjykatës Themelore në Pejë

Një person është arrestuar sot në qytetin e Pejës, i cili dyshohet të jetë përfshirë në veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Policia e Kosovës bënë të ditur se janë siguruar dëshmi se i dyshuari Z.H është inkriminuar në veprën e lartcekur.

“Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë (NJRHKEK-Pejë), pas hetimeve disa mujore, duke zbatuar edhe masat e fshehta të hetimeve, ka arritur të sigurojë prova/dëshmi se i dyshuari Z. H., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1959), referent i lartë për regjistrimin e lëndëve jokontestimore, trashëgimore dhe vërtetimin e certifikatave me vulën e vërtetësisë pranë Gjykatës Themelore në Pejë, është inkriminuar në veprën penale “marrje e ryshfetit”, në rastin kur nga qytetari të cilit i shërben, konkretisht nga i dyshuari D. Sh., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1971), pranon një sasi të hollave.”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se i dyshuari Z.H është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër D.SH nuk është intervistuar, pasi që i njëjti dyshohet se gjendet duke punuar dhe jetuar në Gjermani.