Kosova përfiton 21 projekte nga Erasmus+, ​Nagavci; BE-ja luan rol të rëndësishëm

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka deklaruar se Kosova për herë të parë shënon rritjen më të madhe nga programi Erasmus+ ku për këtë vit tha se kanë fituar 21 projekte.
Këto Nagavci i tha gjatë një konference për medie ku u prezantuan edhe rezultatet e projekteve për ngritje të kapaciteteve në arsimin e lartë dhe në arsimin profesional (për thirrjen e vitit 2022), si dhe projektet nga Kosova që janë përzgjedhur për financim nga Komisioni Evropian.

Nagavci u shpreh po ashtu se sukseset e Kosovës në programet e BE-së janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e arsimit të lartë me qëllim të përmirësimit të rezultateve ku ofrojnë mundësi për ngritje të kapaciteteve për arsim të lartë, modernizim dhe ndërkombëtarizim të arsimit të lartë në Kosovë.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se programi Erasmus Plus është programi më i madh dhe më i suksesshëm i BE-së.

Ai tha se nga programi kanë përfituar miliona studentë përfshirë edhe ata nga Kosova.

Sipas ambasadorit të BE-së në Kosovës studentët e përfshirë në Erasmus+ janë kthyer në Kosovë me një perspektivë të freskët për të kontribuar në zhvillim social.