Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar dënim me burgim efektiv ndaj të pandehurit Fisnik Lajqi për veprën penale të tentim vrasjes, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje paleje.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, i pandehuri Lajqi për tentim vrasje u gjykua me 15 muaj burgim, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm 10 muaj burgim, dhe 800 euro gjobë për armëmbajtje paleje.
Duke zbatuar dispozitat e dënimit unik, ndaj Lajqit u shqiptua dënim me 1 vit e 8 muaj burgim dhe 800 euro gjobë.
Ndaj tij u shqiptua konfiskimi i armës dhe u lirua nga paraburgimi deri në plotëfuqishmërinë e aktgjykimit.
Kurse i akuzuari Demokrat Lajqi u dënua me 200 euro gjobë për veprën penale të sulmit, të cilën do të paguaj brenda afatit prej 30 ditësh.
Ndryshe, në seancën e sotme, i pandehuri Fisnik Lajqi, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e shtetit Valbona Dishaj-Haxhosaj, e ka pranuar fajësinë për vrasje në tentativë, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje paleje.
I fajëshëm u deklarua edhe i pandehuri Demokrat Lajqi, i akuzuar për veprën penale të sulmit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në lidhje me këtë pranim të fajësisë u pajtuan prokurorja Haxhosaj dhe i dëmtuari Mustafë Ahmetxhekaj.
Në anën tjetër, mbrojtja të pandehurve Fisnik dhe Demokrat Lajqi, avokatët Gëzim e Dritëro Kollqaku, konfirmuan se pranimi i fajësisë i të mbrojturve të tyre, kishte ardhur si rezultat i vullnetit të tyre të lirë dhe pas konsultimit të mjaftueshëm me të.
Mbrojtja propozoi që ndaj të mbrojturve të tyre, në rastin e shqiptimin të dënimit, të merren parasyshë të gjitha rrethanat lehtësuese, përfshirë këtu pranimin e fajësisë dhe pajtimin në mes familjes Lajqi dhe Ahmetxhekaj.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 22 dhjetor 2021, ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat e tentim vrasjes dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, ndërsa e ka pranuar fajësinë vetëm për veprën penale të armëmbajtjes.
I pafajshëm ishte deklaruar edhe i akuzuari Demokrat Lajqi për veprën penale të sulmit ndaj të dëmtuarit Mustafë Ahmetxhekaj.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 14 dhjetor 2020, e ngarkon të pandehurin Fisnik Lajqi ase më 10 tetor 2020, rreth orës 12:15, në rrugën “Eliot Engel”, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Mustafë Ahmetxhekaj.
Sipas akuzës në mëngjesin e ditës kritike, fillimisht i dëmtuari Mustafë fjaloset verbalisht me të pandehurin Fisnik dhe dëshmitarin Nazmi Lajqi në lokalin”Dushkaja”, në Pejë, për shkak se i pandehuri Fisnik e kishte sharë Ramush Haradinaj(të cilin i dëmtuari Musafë e ka dajë), ashtuqë po të njëjtën ditë, derisa dëshmitari Nazmi ka qenë duke hyrë në veturën e autoshkollës afër Fakultetit të Biznesit, ndalohet nga i dëmtuari Mustafë i cili e ndalon veturën e tij të tipi Porrsche, krahas veturës të dëmtuarit, del nga vetura për të biseduar me të, ashtu që në ato momente arrinë i pandehuri Fisnik dhe me të parë të dëmtuarin afër veturës së tij, nga brezi nxjerrë revolën e tipit “TT”, nga afërsia dhe nga prapa shtie tri herë në drejtim të dëmtuarit ku me dy plumba duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Fisnik Lajqi akuzohet edhe për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje paleje duke vepruar siç është përshkruar në dispozitivin i të aktakuzës.
I pandehuri Demokrat Lajqi akuzohet se në ditën kritike ka përdorë forcën ndaj të dëmtuarit Mustafë, pasiqë i pandehuri e sheh të dëmtuarin afër dëshmitarit Nazmi të cilin e ka djalë të axhës, i afrohet të njëjtit dhe nga pas e godet në kokë me grusht dhe largohet nga vendi i ngjarjes
Me çka ka kryer veprën penale të “Sulmit”, nga neni 184 par.1 të KPRK-së.