Mbrëmë (e martë) është marrë në pyetje nga Policia e Kosovës, moderatori dhe menaxheri Meriton Mjekiqi.
Lajmi u konfirmua nga zyra për informim në Policinë e Kosovës, ndërsa mësohet se arsyeja e ndalesës së tij ka qenë një konflikt mes dy veturave në kryeqytet.
Pas intervistimit, ai është lënë i lirë dhe kjo është konfirmuar nga avokati i tij, Asdren Hoxha.
Ky i fundit ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook një fotografi, ku shfaqet krah moderatorit, teksa konfirmon se ai është i lirë, dhe se nuk ndodhet në arrati dhe as nuk është intervistuar për gjuajtje me armë – ashtu siç u raportua gabimisht në disa media.
“Meriton Mjekiqi është i lirë…Unë jam avokat i tij edhe njoftoj opinionin se nuk është intervistuar për kurrëfarë gjuajtje me armë. Nuk ka qenë në arrati edhe ky lloj informimi nga mediat pa kurrëfarë konfirmimi zyrtar paraprak është brengosës…Në këtë rast është provokuar gazetari në rruge edhe kjo është e vërteta…U dridh mali e u lind miu”, ka shkruar Avokati Hoxha në Facebook.
Meriton Mjekiqi përndryshe njihet si autor dhe prezantues i emisionit “Gjoni Black”, që promovon emra të ndryshëm të muzikës hip-hop.
Ai gjithashtu është menaxher i disa prej rep-artistëve të suksesshëm, ndër ta edhe reperit shumë të pëlqyer nga publiku, Don Xhon.