I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka takuar sot edhe liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se ka përsëritur qëndrimin e tij për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Prita sot Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajčak.
Ripërsërita qëndrimet tona për dialogun, domosdoshmërinë e rolit strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Bashkërisht vlerësuam zgjedhjet e 14 shkurtit si fitore për demokracinë dhe theksuam nevojën e konstituimit të institucioneve të reja, në afat sa më të shpejt.
Lajčak e falënderova për angazhimin e tij dhe të Bashkimit Evropian në këtë proces të rëndësishëm për vendin tonë.