Prokuroria flet për vdekjen e shtetasit të huaj brenda shtëpisë që u përfshi nga zjarri

Prokuroria e Prishtinës është deklaruar për rastin që ka ndodhur në lagjen Ulpiana të kryeqytetit ku një person, shtetas i huaj është gjetur pa shenja jete në një shtëpi ku ishte raportuar se kishte rënë zjarr.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin se pas pranimit të informatës nga policia për një zjarr në një shtëpi në rrugën “Musine Kokalari”, në lagjen Ulpiana, Prishtinë, prokurorja kujdestare e Departamentit të Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me njësitë tjera relevante.

Brenda objektit të përfshirë nga zjarri është gjetur një person pa shenja jete.

Prokurori i Shtetit, në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të grumbullimit të informatave dhe provave rreth këtij rasti.​

Detaje të tjera nuk janë dhënë as nga prokuroria.