Më 13 qershor të vitit 2020, në qytetin e Mitrovicës, Shkumbin Kajtazi, gazetar i portalit online Reporter.net, derisa po qëndronte në një kafiteri të qytetit, është ftuar nga zyrtarët e Policisë së Kosovës, me njoftimin se nga persona të dyshuar ka pasur një tentim për t’ia djegur veturën.
Siç rrëfen për Radion Evropa e Lirë gazetari Shkumbin Kajtazi, policia dhe prokurori kujdestar kishin shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë parë se mbi veturën e tij ishte hedhur benzinë, por që të dyshuarit nuk kishin arritur t’ia vinin flakën.
Hetimet për këtë rast, sipas Kajtazit, kishin vazhduar dhe tashmë prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj një personi.
Por, ky ishte vetëm sulmi i parë ndaj pronës së këtij gazetari.
Sërish, më 18 tetor të vitit 2020, në qytetin e Mitrovicës, vetura e Shkumbin Kajtazit ishte sulmuar, por kësaj radhe me armë zjarri.
“Unë kam dëgjuar të shtëna, mirëpo nuk e kam menduar që janë në drejtim të veturës sime. Kur kam dalë te vetura, kam parë se janë të paktën pesë vrima. Pastaj janë gjetur edhe plumbat. Dyshohet se është shtënë me një armë që nuk lejon që të dalin gëzhojat dhe se është shtënë nga një veturë. Do të thotë, gëzhojat nuk janë gjetur në vend të ngjarjes, por janë gjetur vetëm predhat, pjesët e plumbave”, ka rrëfyer Kajtazi.
Sulmet ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi, sipas Besim Kelmendit, prokuror nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, janë në mesin e mbi 35 rasteve të paraqitura gjatë vitit 2020 në prokurori si sulme dhe kërcënime ndaj gazetarëve.
“Prej tyre, janë ngritur aktakuzat për 5 raste. Për 14 raste nuk kanë filluar fare procedurat penale, për shkak se gazetarët nuk i kanë paraqitur rastet në polici apo në prokurori ose, thjesht, prokurori nuk ka gjetur elemente të veprës penale. Ndërsa, për 17 raste të tjera, procedurat janë në verifikim të informatave. Për disa ka filluar hetimi dhe pritet përfundimi i tyre dhe, pastaj, të dihet fati se a do të ngrihen aktakuza apo do të pushohen hetimet. Vetëm një rast është nga gjykata, që është marrë vendimi, do të thotë aktgjykimi, për rastet që janë paraqitur në vitin 2020”, ka thënë prokurori Kelmendi për Radion Evropa e Lirë.
Më 22 dhjetor të viti 2020, në Prishtinë, në mes të rrugës ishte sulmuar fizikisht gazetari Valon Syla, drejtor i portalit Metro.
Gjykata Themelore e Prishtinës, më 8 janar, ka bërë të ditur se e ka dënuar sulmuesin e tij, me inicialet B.J., me gjobë prej 4,500 eurosh.
Gentiana Begolli, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se rastet e kërcënimeve dhe sulmeve, qoftë verbale, qoftë fizike, ndaj gazetarëve janë në rritje e sipër.
Këtë e argumenton, sipas saj, numri i rasteve të paraqitura në AGK, në tre vjetët e fundit kalendarikë.
“Në vitin 2018, në AGK janë evidentuar 17 raste, për të cilat AGK-ja ka reaguar. Në vitin 2019 janë evidentuar 21 raste. Më 2020 janë shënuar 24 raste. Tash për tash, në dy muajt e parë të vitit 2021, janë evidentuar gjithsej 2 raste”, thotë Begolli.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi , në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, konsideron që përderisa në të kaluarën ndaj gazetarëve kanë ekzistuar vetëm kërcënime përmes rrjeteve sociale apo formave të ndryshme, tashmë publiku është dëshmitar që gazetarët sulmohen në rrugë, rrahen dhe përgjaken. Sulmet ndaj gazetarëve, sipas tij, nga rastet e izoluara kanë nisur të kthehen në fenomen.
“Vetë fakti që brenda vitit ngrihen 5 aktakuza për sulme që tashmë fatkeqësisht janë kthyer në fenomen ndaj gazetarëve dhe ndaj aktorëve të shoqërisë civile, tregon mosvullnetin për t’i trajtuar këto raste me prioritet. Kujtoj që gjykatat nuk është se u japin rëndësinë e duhur këtyre rasteve. Në bazë të asaj që ne i kemi monitoruar proceset gjyqësore, dënimet për sulmet ndaj gazetarëve janë kryesisht me kusht ose me gjobë. Kjo e përcjell mesazhin e sistemit të drejtësisë te të gjithë ata që potencialisht rrahin ose kërcënojnë gazetarët, se këtë mund ta bëni sërish, sepse sistemi i drejtësisë, thjesht, me mosveprim do t’i amnistojë”, thekson Miftaraj.
Sulmet ndaj gazetarëve, fenomen?
Rati i fundit i sulmit fizik ndaj një gazetari në Kosovë është shënuar në natën ndërmjet 24 dhe 25 shkurtit te sivjetmë, në Fushë Kosovë. Visar Duriqi, gazetar i portalit online Insajderi, është sulmuar fizikisht nga tre persona të panjohur dhe për pasojë i janë thyer dhëmbët dhe hunda.
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka thënë se është duke i zhvilluar hetimet, ndërsa rastin është duke e shqyrtuar edhe Prokuroria e Shtetit.
Duriqi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se personat, që e kanë sulmuar, kanë qenë të maskuar dhe me kapele.
Megjithatë, ai ka shprehur mendimin se sulmet fizike ndaj gazetarëve në Kosovë nuk janë fenomen.
“Mendoj që më shumë janë raste të izoluara, sikurse ky rasti im, sesa raste sistematike, pra, që cenohet liria e shprehjes. Liria e shprehjes më shumë cenohet prej grupeve të interesit, nëpërmjet aspekteve financiare, marketingut, tendencës për të ndikuar financiarisht, sesa që ne, si gazetarë në Kosovë, kemi rrezik permanent prej sulmeve, Pra, deri më tash, mendoj që, përfshirë edhe rastin tim, sulmet më shumë janë raste të izoluara sesa që janë fenomen”, theksoi Duriqi.
Por, mendim tjetër ka drejtuesja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli. Shifrat e rasteve të evidentuara të kërcënimeve dhe sulmeve verbale dhe fizike ndaj gazetarëve, në vitet e fundit, sipas saj, flasin për një fenomen, i cili po shkon duke u rritur.
“Nuk do të thosha se janë raste të izoluara, marrë parasysh që këto janë vetëm disa nga statistikat që kanë arritur në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës. Ne e dimë shumë mirë që ka shumë kolegë tanë, të cilët madje nuk i raportojnë rastet e kërcënimeve apo sulmeve të ndryshme. Kjo gjithnjë, duke u bazuar në veprimin shumë të ngadalshëm të organeve të drejtisisë dhe në shumë raste dënimet shumë të vogla ndaj keqbërësve, sulmuesve apo kërcënuesve”, theksoi Begolli.
Edhe prokurori Besim Kelmendi shpreh mendimin që rastet e kërcënimeve dhe sulmeve verbale dhe fizike ndaj gazetarëve, nuk mund të konsiderohen si të izoluara, për shkak se këto raste bëjnë pjesë në kapitullin e veprave penale kundër jetës dhe trupit.
Sipas tij, “çdo kanosje, sado e lehtë që duket në fillim, mund të paraqesë rrezik për jetën e gazetarit” dhe prandaj shqyrtohet, siç thotë ai, “me vëmendje të madhe nga të gjithë prokurorët”.
Prokuroria e pakënaqur me gjykatat
Megjithatë, prokurori Kelmendi thotë se Prokuroria e Shtetit nuk është e kënaqur me vendimet e gjykatave. Sipas tij, edhe për prokurorinë, disa prej rasteve që paraqiten brenda një viti, kërkojnë më shumë veprime për të marrë dëshmitarë dhe për të ardhur deri te provat e ndryshme, për shkak se, siç thotë ai, nuk dihen identitetet e atyre që kryejnë vepra penale ndaj gazetarëve.
“Ndërsa, për rastet kur dihet identiteti (i sulmuesit) dhe ekzitojnë provat, është e patolerueshme që të bëhen vonesat në procedura, ndonëse Kodi i Procedurës Penale e ka paraparë një afat prej dy vjetësh, e në raste të ndërlikuara edhe 6 muaj, me lejen e gjykatës. Por, në rastet e gazetarëve, shumë rrallë ka nevojë të shtyhet ky afat, kur dihet identiteti i atyre që kanë kryer veprat penale”, theksoi prokurori Kelmendi.
Por, gazetarët që kanë qenë cak i sulmeve dhe kërcënimeve, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, kritikat për mosefikasitet në trajtimin ligjor të rasteve të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, më shumë i orientojnë në adresë të prokurorisë.
Kajtazi: Pas sulmit, prokuroria nuk më ka kontaktuar
Gazetari Shkumbin Kajtazi, vetura e të cilit u sulmua dy herë në Mitrovicë, thotë se për rastin e parë është ngritur një aktakuzë, por nga prokuroria ai ishte kontaktuar tre muaj pas rastit.
Ndërkaq, për rastin e dytë, kur në veturën e tij është shtënë me armë zjarri, ai fare nuk është kontaktuar nga prokuroria.
“Me policinë kam pasur kontakt, sidomos për rastin e dytë. Policia më ka ofruar një lloj mbrojtjeje. Mirëpo, për rastin e dytë, prokuroria as që ma ka kontaktuar dhe as nuk e di se kush është prokuror i rastit. Po bëhen tash diku afër pesë muaj prejse ka ndodhur rasti dhe unë nuk e kam marrë asnjë telefonatë prej prokurorisë”, theksoi Kajtazi.
Për aspektin e ndjekjes penale, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, po ashtu fajëson prokurorinë. Për më shumë, sipas tij, “në shumicën e rasteve, Prokurori i Shtetit është shumë selektiv në hetimin e këtyre veprave penale”.
Ai këtë e bazon edhe në përvojën e institutit që përfaqëson, i cili, sipas tij, ka dërguar edhe prova në prokurori për kërcënimin e gazetarëve.
“Përderisa policia ka filluar me hetimet, prokurori, thjesht, e ka mbyllur rastin me arsyetimin se nuk ka elemente të mundshme të veprës penale. Do të thotë, pa e marrë fare në pyetje gazetarin dhe pa e marrë fare në pyetje personelin e Institutit të Kosovës për Drejtësi. Prokuroria është fajtore kryesore. Gjykatën e fajësoj vetëm kur shpall dënime me kusht. Kur dështojnë aktakuzat, ka faj prokurori dhe jo gjykatat, sepse duhen fakte dhe prova për ta ndërtuar aktakuzën. Në përvojën time dhe të shumë gazetarëve, prokuroria nuk të fton fare. E mbyll (rastin) pa të thirrur fare”, u shpreh Miftaraj.
Pas sulmit ndaj gazetarit Visar Duriqi kanë reaguar drejtues të institucioneve të larta të vendit, të partive politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, duke e dënuar ashpër dhe duke e cilësuar si të papranueshëm.
Ata u kanë bërë thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që kryesit e veprës penale t’i gjejnë dhe t’i nxjerrin para drejtësisë.
Por, Miftaraj ka theksuar se thirrjet e tilla mund të jenë vetëm klishe, në rast se nuk do të ketë një përgjigje të duhur nga sistemi i drejtësisë. Në të kundërtën, sipas tij, ekziston droja që Kosova së shpejti mund të hyjë në listën e zezë të shteteve që nuk i mbrojnë gazetarët.