Vrasja e para pesë vjetëve në Podujevë, në vendin e ngjarjes evidentohet profil i panjohur i ADN-së

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për vrasje, Sedat e Fejrad Llugaliu, eksperti Bashkim Mustafa ka deklaruar se nga mostrat e ekspertuara është gjetur një profil i panjohur.

Këtë deklarin eksperti Mustafa e ka bërë në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku vëllezërit Sedat e Fejard Llugaliu, akuzohen se në shkurt të vitit 2016 në Podujevë, nga hakmarrja për shkak të konflikteve të mëhershme të familjes Lugalliu dhe Bunjaku, kishin privuar nga jeta të ndjerin Fahri Bunjaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë dëgjimit të tij në cilësi të dëshmitarit, eksperti Bashkim Mustafa deklaroi se nga mostrat e ekspertuara është gjetur një profil i panjohur, ku sipas tij, lidhur me këtë nuk kanë pasur ndonjë mostër referente për krahasim dhe se ai profil i fituar është profil i një personi të panjohur.

Në pyetjen e të dëmtuarit Avdyl Bunjaku se çfarë konstaton ekspertiza e ekspertit lidhur me ADN-në, dëshmitari deklaroi se në këtë ekspertizë janë nxjerrë profilet e ADN-së nga provat e vendit të ngjarjes, të cilat sipas tij janë krahasuar me profilet e ADN-së të personave Sedat Llugaliu, Fejard Llugaliu, Esat Llugaliu dhe Fahri Bunjaku.

“Lidhur me rastin në fjalë, në laboratorin e ADN-së kanë ardhur tri herë dëshmi në total 49 dëshmi për analizë, të gjitha këto janë analizuar dhe në fund kemi një mori rezultatesh. Kemi profile të ADN-së të nxjerra mirëpo kemi edhe profile të pjesshme të përziera apo të papërshtatshme, pastaj kemi dëshmi ku nuk është identifikuar ADN fare e kështu me radhë”, tha ai.

Sipas tij nga dëshmitë FB1, FB2, FB4, E31.11.1, E31.14, VN24, VN28 dhe VN29 është nxjerr një profil i ADN-së, i cili është përputhur me profilin e ADN-së së Fahri Bunjakut.

“Nga dëshmitë ELL2, ELL4 dhe ELL5, është nxjerr një profil i ADN-së i cili është përputh me profilin e ADN-së së Esat Llugaliut. Nga dëshmia ELL1 është nxjerr një profil i përzier i ADN-së, i cili është përputh me Esat Llugaliun dhe Fahri Bunjakun” tha eksperti.

Ai shtoi se nga dëshmia T7 është nxjerr një profil i përzier i ADN-së, i cili është përputhur me profilin e ADN-së së Esat Llugaliut dhe Fahri Bunjakut, ndërkaq nga ajo E31.4. është nxjerr një profil i ADN-së nga një person i panjohur.

Në pyetjen e të dëmtuarit Bunjaku lidhur me ekspertizën e ADN-së, se konstaton se këta persona kanë qenë në vendin e ngjarjes, eksperti deklaroi se nuk është kompetent të konstatoj se a kanë të bëjnë me vendin e ngjarjes apo jo.

Ai shtoi se profilet e tani të akuzuarve nuk janë përshtatur me asnjë nga dëshmitë.

“Sedat dhe Fejard Lulagiu, profilet e tyre nuk janë përputhur me asnjë nga dëshmitë që janë ofruar për ekzaminim”, deklaroi eksperti.

Lidhur me dëshminë E30.2 që ka të bëjë me një bisht sëpatë të gjetur në veturën “Golf 4”, pala e dëmtuar kërkoi që të sqarohet profili i gjetur në këtë dëshmi.

Sa i përket kësaj, eksperti deklaroi se në këtë dëshmi është identifikuar gjak me origjinë njerëzore dhe nga kjo dëshmi është nxjerrë një profil i përzier i ADN-së, i cili është përputhur me profilet e ADN-së së Esat Llugaliut dhe Fahri Bunjakut.

“Sa për sqarim kjo dëshmi është e lidhur me dëshminë T7, sepse dëshmia T7 është një tampon me njollë të kaftë të lehtë të mara nga pikat e kuqe në dëshminë E30.2”, shtoi eksperti.

Në pyetjen e prokurores së rastit Besa Limani, lidhur me atë se nga disa prova nuk janë nxjerr provat e ADN-së, e se çfarë ndikon në aspektin shkencor, eksperti u përgjigj se mund të ndikoj sasia e vogël e mostrës si dhe ndikimi i faktorëve të ndryshëm që mund ta dëmtojnë mostrën.

Si faktorë, eksperti tha se mund të ndikojnë nxehtësia, lagështia, kimikatet e ndryshme e shumë faktorë të tjerë.

Eksperti në pyetjen e gjykatësit Kujtim Krasniqi, se si mund të ndikoj larja e një sëpatë me ujë, eksperti deklaroi se mund të ndikoj edhe në zhdukjen e gjitha gjurmëve.

Ndërkaq në pyetjen lidhur me atë se a janë marr mostrat ditën kritike apo më vonë, eksperti deklaroi se nuk e di saktë dhe se datat janë pjesë e raporteve.

Në pyetjen e gjykatësit Krasniqi, se sa mund të jetë periudha e zhdukjes së mostrave, eksperti deklaroi se varet nga faktorët e ruajtjes.

“Nëse ruhen mirë mund të qëndrojë kohë të gjatë”, shtoi dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e prokurores se a i posedojnë të gjitha pajisjet e nevojshme, eksperti tha se në laborator posedojnë të gjitha pajisjet e nevojshme për kryerjen e ekspertizave.

“Sa kohë ruhen dëshmitë, nëse është e nevojshëm me u bo ekspertimi prapë?”’ ishte pyetja e gjykatësit, në të cilën eksperti tha se mostrat i kthehen policisë dhe se nuk e din çka ndodh pastaj me to.

E nëse ka ndonjë afat deri kur mund të bëhet sërish ekspertimi, eksperti deklaroi se nëse janë ruajtur mirë mund të ekzaminohen.

Pyetje për ekspertin nuk patën mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Gëzim Kollqaku dhe Skender Musa.

Për këtë seancë ishte ftuar edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Ahmet Tahiri, mirëpo u konstatua së i njëjti nuk ishte prezent për shkaqe shëndetësore. Lidhur më këtë, i dëmtuari Avdyl Bunjaku u pajtua që seanca të vazhdoj edhe pa prezencën e tij.

Gjatë kësaj seance ishte paraparë edhe dëgjimi i ekspertit Fatmr Ademi, mirëpo i njëjti kishte njoftuar gjykatën që nuk mund të prezantoj për shkak se është në një trajnim ndërkombëtar.

Ai përmes njoftimit kishte deklaruar se eksperti Bashkim Mustafa është përpilues i raportit dhe mund të qartësoj gjithçka lidhur me rastin.

Pas këtij sqarimi, i dëmtuari dhe prokurorja hoqën dorë nga dëgjimi i tij, andaj gjykata mori aktvendim me të cilin konsideroi të tërhequr vendimin për dëgjimin e dëshmitarit Fatmir Ademi në cilësi të ekspertit.

Tutje, kryetari i turpit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi njoftoi palët se gjykata ka vepruar sipas propozimit të palës së dëmtuar për sigurimin e hartografisë, mirëpo kompania “Vala” ende nuk është përgjigjur, ndërsa “Z- Mobile” ka deklaruar se këta numra nuk janë të kësaj kompanie.

Po ashtu gjykatësi njoftoi palët se sipas propozimit të prokurorit, kishin dërguar në Agjencinë Kosovare të Forenzikës video – incizimet e vendit të ngjarjes për qartësim, mirëpo ende nuk kanë një përgjigje.

Krasniqi deklaroi se nuk mund të vazhdohet me këtë seancë pa pranimin edhe të këtyre provave, andaj seanca u shty për 18 mars 2020, nga ora 10:00.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 korrik 2019, kishte shpallur fajtor të akuzuarin për vrasje të rëndë, Sedat Llugaliu, ndërsa e ka liruar nga kjo akuzë vëllain e tij, Fejard Llugaliu.

I akuzuari Sedat Llugaliu, për veprën penale “vrasja e rëndë”, ishte dënuar me 18 vite burgim efektiv, kurse ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, për të cilën vepër u dënua vëllai i tij, Fejrad Llugaliu, me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj

Ndërkaq, për veprën penale “vrasja e rëndë”, i akuzuari Fejard Llugaliu ishte liruar nga akuza, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, nuk ishte vërtetuar se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

Por, me një vendim të tillë nuk ishin pajtuar familja Bunjaku, e cila përmes përfaqësuesit të tij, avokatit Tomë Gashi, kishin këruar nga Gjykata e Apelit që ndaj të akuzuarit Sedat Llugaliu, të shqiptohet një dënim maksimal apo i përjetshëm, ndërkaq vëllai i tij, i liruar nga akuza për vrasje, të dënohet.

Me vendimin e shkallës së parë, nuk ishte e kënaqur as Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila përmes ankesës së ushtruar kundër këtij aktgjykimi, kishte kërkuar që ky rast të kthehet në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave ligjore, vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal dhe mbi vendimin për dënim.

Prokuroria kishte propozuar që ndaj të dënuarit Sedat Llugaliu të shqiptohet një dënim më i ashpër, ndërsa i liruari nga akuza Fejard Llugaliu të dënohet sipas ligjit.

Ndërkaq, pafajësinë për të mbrojturin e tij, e kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit, mbrojtësi i dënuarit Sedat Llugaliu, avokati Gëzim Kollqaku.

Sipas tij, gjykata e shkallës së parë ka përshkruar provat materiale dhe jo materiale, por të njëjtat nuk i ka arsyetuar në atë masë, që për secilën provë të tregojë se çka kanë vërtetuar.

Ai i kishte propozuar gjykatës, që në mungesë të provave i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza, apo çështja të kthehet në rigjykim.

Ndërkaq i kënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë kishte qenë, mbrojtësi i të akuzuarit Fejard Llugaliu, avokati Skëndër Musa.

Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, duke aprovuar ankesën e prokurorisë.

Sipas aktakuzës së ngritur me 5 prill 2017, vëllezërit Llugaliu më 7 shkurt të vitit 2016, rreth orës 21:40, në rrugën e “Xhamisë” në Podujevë, pas marrëveshjes paraprake mes të pandehurve dhe personave NN, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku, nga hakmarrja për shkak të konflikteve të mëhershme të familjes Lugalliu dhe Bunjaku rreth biznesit, duke rrezikuar edhe Arafat Fetën, të pandehurit u kanë dal në pritë Fetës dhe Bunjakut.

Sipas aktakuzës, Esat Llugaliu, ka shtënë në drejtim të tyre me pistoletë dhe bashkë me të kanë shtënë edhe personat NN dhe të pandehurit Fejard dhe Sadat Llugaliu që kanë dal nga vetura e tyre, kurse personat NN kanë qene të fshehur në qoshe të një ndërtese.

Për të shpëtuar nga të shtënat me armë, aktakuza thotë se Feta ka dal nga vetura dhe ka ikur, kurse, tani i ndjeri Fahri Bunjaku është qëlluar me armë zjarri dhe në atë gjendje ka dal nga vetura, por pasi të shtënat nuk janë ndalur në vetëmbrojtje ka shtënë në drejtim të tyre dhe ka ikur drejtë shtëpisë së të dëmtuarit Halit Kika.

Për këto veprime Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “vrasje e rëndë”.