KDI: Në Kosovë ka mungesë të kontrollit mbi fondet shtetërore, vendi i zhytur thellë në korrupsion

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës, në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB), në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas KDI-së arrestimet që kanë ndodhur së fundmi kanë treguar se Kosova është e zhytur në korrupsion. Nga KDI’ja thonë se ky rast ka dëshmuar mungesën e kontrollit mbi fonde shtetërore.

“Arrestimi i 10 zyrtarëve shtetëror për korrupsion dhe gjetja e parave të gatshme flasin qartë për mungesën e kontrollit mbi fondet shtetërore dhe mundësinë e abuzimit nga zyrtarët shtetëror për përfitime personale apo për përfitim të personave të tjerë”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Njoftimi i plotë:

Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson faktin se pas një periudhe relativisht të gjatë kur dukej se Prokuroria e Shtetit po kalonte nëpër një fazë të gjatë letargjie, sot ndërmori një aksion duke bastisur shumë lokacione anekënd Kosovës. Sipas deklarimeve zyrtare, gjetjet e para nga këto bastisje janë para të gatshme në vlerë prej mbi 400 mijë euro, të gjetura në shtëpitë e personave të përfshirë në rast.

Këto arrestime dhe zbulimi i një shume kaq të madhe parash të gatshme në duar të individëve dëshmon edhe një herë se sa thellë është i zhytur në korrupsion Kosova dhe se sa të organizuara janë grupet kriminale të cilat fatkeqësisht kanë arritur të depërtojnë lart edhe në hiearkinë e institucioneve shtetërore.

Raste të tilla janë edhe një tregues i qartë se pse Kosova në Indeksin Global të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International vazhdimisht humbet pikë duke ngelur nën mesataren globale e shumë larg mesatares evropiane në perceptimin e korrupsionit.

Arrestimi i 10 zyrtarëve shtetëror për korrupsion dhe gjetja e parave të gatshme flasin qartë për mungesën e kontrollit mbi fondet shtetërore dhe mundësinë e abuzimit nga zyrtarët shtetëror për përfitime personale apo për përfitim të personave të tjerë.

KDI kërkon nga Prokuroria e Shtetit që në afat sa më të shkurtër të veproj në drejtim të mbledhjes së të gjitha provave dhe që sa më shpejtë të vendos para drejtësisë personat e përfshirë. KDI gjithashtu inkurajon qytetarët të cilët kanë qenë viktima të këtyre abuzimeve nga zyrtarë që kanë punuar në Ministrinë e Bujqësisë përkatësisht në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, t’i raportojnë abuzimet apo dëmet e shkaktuara në Prokurori të Shtetit apo Polici.