Javën e fundit në rrugët e Kosovës u shkaktuan 305 aksidente trafiku, shkruan Indeksonline.
Dy prej tyre ishin me fatalitet me pasojë vdekjen, ndërsa 105 ishin me të lënduar. Nga një numër i lartë i aksidenteve (198) u shkaktuan edhe dëme materiale.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, për Indeksonline tha se, krahasuar me janarin e vitit të kaluar, ka rritje të numrit të aksidenteve.
“Gjatë muajit janar 2021, krahasuar më janar 2020, ka pasur rritje të numrit të aksidenteve: 1.360 aksidente në janar 2020, kurse në janar 2021 janë regjistruar 1.536 aksidente, apo 12.94% më shumë”.
Sipas policisë, faktorët që ndikojnë në aksidente janë faktori njeri, rruga dhe automjeti, ndërsa shkaktarët kryesorë të aksidenteve gjatë vitit 2020 janë: mosmbajtja e distancës 18.2%, mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës 16%, manipulimi i pasigurt me automjetin 15.2%, qasja e pasigurt në rrugë 7.2% etj.
Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka apeluar që të gjithë pjesëmarrësit në trafik, t’i respektojnë rregullat e trafikut, ndryshe policia në rastet kur shkelen këto rregulla shqipton edhe gjoba (në janar 2021 janë shqiptuar 27.115 gjoba) bazuar në Ligjin e trafikut.
Kujtojmë se gjatë vitit të kaluar ka pasur rënie të aksidenteve në trafik.
“Aksidentet në trafikun rrugor, nga 16.222 në vitin 2019 në 13.868 aksidente në vitin 2020, apo rënie për -14.51%;
Aksidentet me fatalitet, nga 100 në 76 aksidente, apo rënie për -24%;
Aksidentet me lëndime, nga 6.148 në 5.406 aksidente, apo rënie për -12.06%;
Aksidentet me dëme materiale, nga 9.974 në 8.386 aksidente, apo rënie për -15.92%“, u shpreh Krasniqi.