Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pritet të rinumërohen votat edhe në 500 vendvotime. Kjo mbetet të diskutohet sot në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
IndeksOnline ka kontaktuar me zëdhënësin e KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se anëtarët e KQZ-së do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendim meritor për raportin që do ta paraqesë Qendra e Numërimit dhe Rezultateve me disa rekomandime.
“Mund t’iu konfirmoj se në mbledhjen e sotme të KQZ-së do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve me disa rekomandime për rinumërim e votav e të rreth 500 vendvotimeve dhe natyrisht se anëtarët e KQZ-së do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendim meritor”, ka thënë Elezi.
QNR-ja ka nxjerr këto rekomandime pasi këto vendvotime nuk kanë mundur ta kalonin procesin e auditimit.
“Arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me bartjen e gabuar të votave në formularin e subjekteve politike dhe formularin e kandidatëve; si edhe për shkak se në një numër të madh të vendvotimeve kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, ka thënë ai.