Albin Kurti me lëvizjen e tij, që në zgjedhjet e përgjithshme paralamentare i mori mbi 47% të votave (pa përfshirë votat me postë dhe me kusht) së bashku me Listën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, synon t’ia sigurojë kësaj të fundit një mandat të plotë pesëvjeçar në krye të Presidences. Së paku, këtë qëllim, kryetari i LVV-së e ka deklaruar gjatë fushatës elektorale, por edhe në natën e fitores, të dielën e 14 shkurtit.
Për ta bërë Vjosa Osmanin presidente, Kurtit dhe LVV-së i nevojiten edhe votat e partive tjera që me shumë mundësi do të jenë në opozitë. Është përfolur mundësia që, së paku, disa deputetë të LDK-së, të qëndrojnë në sallë në ditë kur ish-kolegia e tyre do të dilte në votim për t’u zgjedhur presidente.
LDK-ja, e cila pas dorëheqjes së Isa Mustafës nga pozita e kryetarit ia ka hapur Osmanit derën për t’u kthyer, nuk ka treguar nëse do t’ia mundësojnë asaj të zgjidhet presidente. Zyrtarë të lartë të LDK-së nuk kanë dashur të deklarohen për këtë çështje, e të tjerë nuk kanë pasur qasje në telefon.
Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka thënë se “është pak herët” të flitet për çështjen e presidentit, shkruan gazeta Express.
Po njësoj mendon edhe Pal Lekaj nga AAK-ja.
“Është shumë herët të flasim për gjëra të tilla, ne ende nuk e kemi të konfirmuar grupin tonë parlamentar e lëre më të flasim për ndonjë bashkëpunim me partitë tjera. Pas certifikimit të zgjedhjeve AAK-ja do t’i konsultojë organet e veta dhe me kohë do ta njoftojë publikun për çdo veprim tonin”, tha ai.
Fiks një muaj para zgjedhjeve, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani u morën vesh që të garojnë me një listë të përbashkët. Kësisoj, Lista Vjosa, me 15 kandidatë, përfshirë ushtruesen e detyrës së presidentes, u përfshin në listën e 110 kandidatëve të LVV-së për deputetë.
Në atë konferencë, ku u nënshkrua edhe marrëveshja mes tyre, Osmani tregoi hapur pikën më të rëndësishme të dakordimit, synimin për t’u bërë presidente me mandat të plotë.
“Do të garojmë me Z. Kurti si kryeministër. Do të jem unë personi që do ta kërkoj këtë rilegjitimim, sepse presidenti i vendit përfaqëson unitetin e popullit. Një presidente që ka legjitimitet më së miri e përfaqëson këtë. Do të garojmë pikërisht si thoni ju”, kishte thënë Osmani në këtë konferencë.
Vjosa Osmani në zgjedhjet e vitit 2019 ishte kandidate e LDK-së për kryeministre. Pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministër u zgjodh Albin Kurti, ndërsa Vjosa Osmani mori postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës.
Më pas Qeveria Kurti u rrëzua me një mocion mosbesimi të inicuar nga LDK-ja.
Pak pas kësaj, Osmani i ndau rrugë ndau rrugët me partinë e saj të vjetër, kur LDK-ja në korrik të vitit të kaluar e shkarkoi atë nga pozita e nënkryetares me arsyetimin se kishte dalë kundër qëndrimeve të partisë.