Qeveria nuk sjellë raportin e dëmeve, mbyllet seanca ndaj veteranëve protestues

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e katër me radhë ndaj njëmbëdhjetë̈ veteranëve dhe invalidëve të Ushtrisë̈ Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen për organizimin e një proteste në gusht të vitit 2015.

Meqenëse në seanca kanë munguar tre të akuzuar dhe pala e dëmtuar në këtë rast Qeveria e Kosovës nuk ka sjell raportin e vlerës së dëmit, seanca është mbyllur dhe e radhës është paraparë të mbahet më 14 prill nga ora 09:00.

Avokati i palës së dëmtuar, Bedri Krasniqi tha se pala e dëmtuar është në procedurë të mbledhjes së fakteve me qëllim ta faktojë faktin lidhur me vlerën e dëmit.

I akuzuarit në këtë rast, Xhevdet Qeriqi, i cili është edhe njeri ndër organizatorët e protestës të gushtit të 2015, këtë proces gjyqësor e ka quajtur si lojë politike. Ai kërkoi që seanca e radhës të mos caktohet pa u ofruar raporti i dëmit në të kundërtën ka thënë se nuk marrin pjesë në seanca.

“Seanca e katër që po mbahet dhe përfaqësuesi i qeverisë po arsyetohet se do ta sjellë raportin e radhës. Janë katër seanca që deklarohet, më duket lojë që po bëhet me neve, është e padrejtë po bëhen gati 6 vite që akuzohemi prej qeverisë dhe mos me qenë gjendje me sjellë këtë raport është lojë politike. Kisha kërkuar që mos me thirr seancë pa e ofrua raportin e dëmit. Në të kundërtën deri në vendimin përfundimtar nuk marrë pjesë në seancë”, tha ai.

Kryesuesja e trupit gjykues, Luljeta Krasniqi kërkoi nga pala e dëmtuar që deri të seancën e radhës të përgatisë raportin që shpalos vlerën e dëmit.