Çdo përpjekje për të minimizuar rëndësinë e drejtësisë është problematike dhe komuniteti ndërkombëtar, por edhe publiku, duhet të dinë më shumë për këtë dhe kush qëndron pas saj.
Kështu tha në një bisedë me Radion Evropa e Lirë (REL), Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, duke komentuar paralajmërimet që Gjykata Speciale në Hagë (Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar) përballet me presione të vazhdueshme, të cilat kanë për qëllim minimin e këtij institucioni.
Lidhur me këto presione ndaj gjykatës që po heton krimet e luftës në Kosovë, më 11 shkurt ka folur kryetarja e gjykatës, Ekatarina Trendafilova, në një takim me diplomatët evropianë në Hagë, pa specifikuar se nga kush kanë ardhur ato presione.
Bazuar në transkriptin nga takimi, në të cilin REL ka pasur qasje, Trendafilova tha se ka thirrje të përsëritura që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të shqyrtojë vendimin e Kuvendit të Kosovës të vitit 2015, në bazë të të cilit u formua gjykata. Ajo paralajmëroi se është e mundur të ketë një përpjekje për të ndryshuar ligjin, në mënyrë që të mundësohet falja për ata që janë të dënuar nga gjykata ose që gjykata dhe arkivat e saj të transferohen në Kosovë.
Sipas saj, është e mundshme që përderisa proceset gjyqësore të përparojnë, të rriten edhe presionet.
“Duhet të angazhohemi për informacione shtesë, lidhur me atë se kush po e kërkon këtë dhe kush po sugjeron që duhet të ketë një qasje tjetër ndaj kësaj çështjeje të drejtësisë. Mendoj se kjo është e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Kosovës”, komentoi Ellis në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Gjykata Speciale ose Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar zyrtarisht po hetojnë krimet e pretenduara se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, ndërmjet janarit të vitit 1998 dhe dhjetorit të vitit 2000, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty. Kjo gjykatë është formuar me vendimin e Kuvendit të Kosovës më 2015, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, ndërkaq që financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.
Deri më tani, tri aktakuza janë ngritur dhe konfirmuar në gjykatë, përfshirë edhe një kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi (ish-presidenti i Kosovës), Kadri Veseli (ish-kryetar i kuvendit dhe ish-udhëheqës i Partisë Demokratike të Kosovës), Jakup Krasniqi (ish-kryetar i kuvendit) dhe Rexhep Selimi (ish-deputet). Që të gjithë, aktualisht, janë në paraburgim në Hagë dhe data e fillimit të gjyqit nuk dihet për momentin.
Mbi çfarë baze foli Trendafilova?
Nga Zyra për media e Dhomave të Specializuara i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se fjalimi i Trendafilovas ishte bazuar në informacionet, të cilat janë të qasshme për publikun, siç janë vendimet publike të Dhomave të Specializuara. Çështjet për të cilat ka folur Trendafilova, kryesisht ndërlidhen me Thaçin, i cili aktualisht gjendet në Hagë ku ishte dorëzuar vetë pasi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës.
Në njërën prej atyre vendimeve, falja përmendet në kontekstin që Thaçi i fali dy persona (Shpresim Ukën dhe Bekim Sylajn) në ditën e shkuarjes së tij për në Hagë, e të cilët ishin dënuar për vrasje dhe vrasje në tentativë, brenda afatit kohor për të cilin gjykata ka juridiksion.
Për gjykatësin e procedurës paraprake, kjo ishte një nga çështjet relevante “kur bëhet fjalë për përpjekjet për të minuar Dhomat e Specializuara” dhe që ndërlidhet me rastin kur u vendos për lirimin ose jo të përkohshëm të Thaçit, gjë që u refuzua.