Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka marrë pjesë në ceremonin e inaugurimit të Akademisë së Drejtësisë ku ka përgëzuar gjykatësit e rinj e para të cilëve ka deklaruar se një gjyqësor i pavarur, një gjyqësor që nuk i nënshtrohet presionit politik është thelbësor për të mbështetur shtetin e së drejtës.
“Një gjyqësor i pavarur, një gjyqësor që nuk i nënshtrohet presionit politik, është thelbësor për të mbështetur shtetin e ligjit. Ju, si gjykatës, jeni të pajisur me fuqinë për të zbatuar dhe gjykuar, por kjo duhet të rrënjoset në prova dhe vetë ligji “Në punën tuaj, ju duhet të lini mënjanë gjithçka që mund të shpërqendrojë ose zvogëlojë ndjekjen e drejtësisë dhe sigurimin e një sistemi të drejtë për popullin e Kosovës”, ka thënë Kosnett gjatë kësaj ceremonie.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje që fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit të krijojnë shpejtë dhe në mënyrë efikase institucionet e reja.
“Unë dëshiroj gjithashtu të përgëzoj qytetarët e Kosovës për zgjedhjet e suksesshme dhe paqësore. Ata folën edhe një herë. Nxis partitë fituese që të formojnë qeverinë shpejtë dhe në mënyrë efikase. S’ka kohë për vonesa”, ka thënë Kosnett.