Zyrtari i LDK-së, Naser Rugova ka reaguar për procesin e zgjedhjeve brenda partisë pas rezultatit dëshpërues në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Me anë të një postimi në Facebook, Rugova ka thënë se është shumë i zhgënjyer me kursin që po përdorin sipas tij njerëzit që e kanë sjellur partinë në gjendjen ku është aktualisht, shkruan lajmi.net.
Ai ka thënë se këto personazhe nuk duhet të kenë as edhe një rol në rimëkëmbjen e partisë.
“Nuk do të lejojmë më që Kryetari të zgjedhet në tavolinë, nuk do të lejojmë që Kryetar të zgjedhet dikush që përfaqëson vetëm interesa grupesh e klanesh. Mjaft më me këto eksperimente të poshtra dhe anti demokratike. Klanet dhe lojërat tuaja na kanë sjellë në këtë pikë? Çfarë doni më shumë? Doni të biem nën prag zgjedhor?”, ka shkruar Rugova.
Postimi i plotë i Rugovës:
Shumë i zhgënjyer me kursin që po përpiqet të shtrojnë njerëzit që e sollën LDK-në në këtë gjendje të mjerueshme.
Si nuk ju vjen pak turp? A keni ndonjë fije morali e nderi apo mendoni që duhet t’u ndjekim deri në fundin e marrëzisë së egos suaj?
Jam kategorik dhe e di që nuk jam i vetmi. Njerëzit që e kanë sjell LDK-në në këtë gjendje nuk duhet të kenë as edhe një rol të vetëm në procesin e rimëkëmbjes së partisë!
LDK ka ardhur në këtë gjendje si rezultat i lojërave të këtyre njerëzve, që nuk kanë vlerësuar veprimtarët dhe që partinë e kanë trajtuar si biznes privat.
Nuk do të lejojmë më që Kryetari të zgjedhet në tavolinë, nuk do të lejojmë që Kryetar të zgjedhet dikush që përfaqëson vetëm interesa grupesh e klanesh. Mjaft më me këto eksperimente të poshtra dhe anti demokratike. Klanet dhe lojërat tuaja na kanë sjellë në këtë pikë? Çfarë doni më shumë? Doni të biem nën prag zgjedhor?
E para që duhet të bëjmë është që të shfuqizojmë nenin antidemokratik në statutin tonë (atë që kandidati për kryetar duhet të ketë përkrahjen publike të 50%+1 të delegatëve) që kjo kryesi e ka futur për të bllokuar vullnetin e lirë të anëtarësisë sonë. Secili anëtar i LDK-së duhet të ketë të drejtë të kandidohet për Kryetar dhe votimi gjithmonë duhet të jetë i fshehur. Nuk ka rrugë tjetër. Mjaft më kemi duruar përralla me mbret të atyre që, strikt për interesa të veta, për një dekadë e kanë mbajtur peng LDK-në. Kanë shkelur aktivistat e devotshëm dhe kanë promovuar servila. Ka ardhur koha që ta themi troç dhe dështimin dhe fajtorët t’i cilësojmë me emër. Nuk mund askush të fshihet pas dorëheqjes së Kryetarit Isa Mustafa.
Të keqen duhet ta çrrënjosim jo vetëm në qendër, por edhe degë më degë.
Mjaft më me hi syve!
Le të vendosë antarësia!.