Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e ka përgëzuar Kosovën për organizimin e zgjedhjeve të lira e demokratike.
Meta ka uruar që shpejt të krijohen institucionet dhe të punojnë në të mirë të Kosovës.
“Urime të gjithë qytetarëve dhe klasës politike të Kosovës për shembullin e shkëlqyer të besimit te demokracia dhe vota e lirë, si dhe për standardet e suksesshme të arritura në zgjedhjet e djeshme parlamentare.
E përshëndes pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në votime, të cilët sfiduan kushtet e vështira atmosferike dhe pandeminë COVID-19, për të marrë në dorë fatet dhe për të vendosur të ardhmen e tyre.
Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik.
Urojmë, që institucionet e reja, që do të formohen përmes bashkëpunimit, të udhëheqin me sukses shtetin e Kosovës për të fituar sfidat e të ardhmes” shkruan Meta në urim.