Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka zhvilluar sot një takim me bashkatdhetarin 29-vjeçar Fatlind Rama, i cili që nga shtatori udhëheq klubin zviceran Vevey-Sports, duke sjellë një epokë të re për këtë skuadër.
Ademi ka thënë se Rama po sjell energji dhe vizion të ri në menaxhimin e Vevey-Sports, një zhvillim që përfaqëson një mundësi të madhe jo vetëm për klubin zviceran, por edhe për futbollistët nga Kosova, të cilët përmes këtij klubi mund të promovohen dhe të gjejnë hapësirë në tregun zviceran të futbollit.
Gjatë takimit, Ademi theksoi se FFK është e hapur për çdo formë bashkëpunimi që mund të kontribuojë në rritjen dhe afirmimin e futbollit kosovar.
“Jemi tejet krenarë për diasporën tonë, e cila çdo ditë dëshmon se është e integruar dhe e pranishme në vende meritore, duke përfaqësuar siç duhet popullin dhe vendin tonë”, tha presidenti i FFK-së.