Shkolla e Futbollit SC Gjilani do të përfaqësojë Kosovën në një prej turneve më të mëdhenj për grupmoshat e reja në Evropë, “Sebra Cup”, që zhvillohet në Kristiansand të Norvegjisë.
Me ftesën e klubit norvegjez Randesind IL dhe me mbështetjen e Ambasadës së Kosovës në Norvegji, ekipi i 13-vjeçarëve të SC Gjilanit do të ketë rastin të matet me ekipe nga e gjithë bota në një garë prestigjioze ku marrin pjesë rreth 450 skuadra, ka bërë të ditur Shkolla e Futbollit e SC Gjilani në Facebook.
Turneu do të zhvillohet nga 29 deri më 31 gusht, ndërsa ekspedita gjilanase do të udhëtojë drejt Norvegjisë më 27 gusht dhe do të kthehet në Kosovë më 1 shtator.
Nga klubi SC Gjilani kanë falënderuar ambasadoren e Kosovës në Norvegji, znj. Nita Luci, për përkushtimin dhe mbështetjen që ka bërë të mundur pjesëmarrjen e fatosëve gjilanas në këtë aktivitet madhështor sportiv.Ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e talenteve të rinj të futbollit në Kosovë, të cilët do të kenë mundësinë të fitojnë përvojë të çmuar ndërkombëtare, të promovojnë emrin e klubit dhe të nderojnë stemën e Kosovës në arenën evropiane.