Arijon Ibrahimovic drejt Kosovës, portali boshnjak: Kosova fitoi betejën ndaj Shqipërisë

Ylli i ri i futbollit, Arijon Ibrahimovic, që aktualisht është pjesë e Lazio-s në huazim nga Bayern Munich, duket se ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.Sipas portalit të njohur sportiv boshnjak SportSport.ba, Kombëtarja e Kosovës ka dalë fituese në garën për talentin 18-vjeçar, duke lënë pas Shqipërinë, e cila gjithashtu kishte bërë përpjekje të mëdha për ta bindur futbollistin ta vishte fanellën kuqezi.

Së fundmi, sipas këtij portali një detaj i vogël por shumë domethënës ka ndezur entuziazmin në opinionin sportiv kosovar. Në një story të postuar në Instagram nga vetë Ibrahimovic, vërehej flamuri i Kosovës në çorapët e tij – një sinjal që është interpretuar si konfirmim i zgjedhjes së tij.

“Duket se puna me Ibrahimovicin është përfunduar dhe se ai do të luajë për Kosovën në të ardhmen,” shkruan portali SportSport.ba, duke e cituar një postim në X.

Ibrahimovic, i lindur në Gjermani dhe pjesë e ekipeve të moshave të këtij vendi, ka origjinë nga Kosova, ndërsa prej muajsh ka qenë në qendër të interesimit të dy federatave – asaj të Kosovës dhe Shqipërisë.Nëse gjithçka shkon sipas planit, Kosova pritet të përfitojë një futbollist me potencial të madh që tashmë po grumbullon eksperiencë në Serie A dhe Bundesliga.