Kombëtarja e Kosovës U16 ka përmbyllur turneun zhvillimor të UEFA-s në Tiranë si kampion, duke regjistruar tri fitore në po aq ndeshje dhe duke triumfuar ndaj San Marinos (7:0), Andorrës (2:1) dhe Shqipërisë (2:1). Ky sukses i shënuar nga djemtë e drejtuar nga trajnerët Mehmed Kurda dhe Ibrahim Domi është përgëzuar nga kreu i FFK-së, Agim Ademi, i cili ka ndarë një mesazh të veçantë në llogarinë e tij në Instagram.
“Ky sukses tregon potencialin e madh të futbollistëve tanë të rinj dhe frymën e jashtëzakonshme ekipore. Krenar për secilin lojtar që ishte pjesë e Kombëtares, por edhe për stafin që udhëhoqi me dinjitet ekipin drejt kësaj arritjeje. Besoj fuqishëm që kjo gjeneratë do të vazhdojë të tregohet e suksesshme dhe do të na përfaqësojë me krenari në sfidat e ardhshme. Urime e ju priftë e mbara!”, ka shkruar Ademi.
Ky triumf i Kombëtares U16 në Tiranë është një tjetër dëshmi e progresit të shpejtë të futbollit kosovar dhe e perspektivës së ndritshme që ka ky sport në vendin tonë.