Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë sot seancën e dytë stërvitore.
Dardanët u grumbulluan mbrëmë duke ushtruar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa prezentë ishte një numër i vogël i futbollistëve, të cilët kishin angazhime me klubet e tyre të shtunën.
E pjesa tjetër, të cilët luajtën të dielën me ekipet përkatëse, dje kryen vetëm rigjenerim në hotel.
Më saktësisht, në stërvitjen e djeshme prezentë ishin: Visar Bekaj, Florent Muslija, Muharrem Jashari, Mërgim Vojvoda, Ilir Krasniqi, Fidan Aliti, Florent Hadërgjonaj, Andi Hoti, Baton Zabërgja dhe Art Smakaj.
E Federata e Futbollit të Kosovës njofton se trupa e trajnerit Franco Foda, për dallim nga dje, kur ushtroi në “Fadil Vokrri”, sot do ta mbajë stërvitjen në Kampin Nacional në Hajvali.
Verdhekaltrit do të ushtrojnë edhe nesër në Kosovë, ndërsa të enjten do ta marrin rrugën drejt Bukureshtit, ku të premten mbrëma do të përballen me Rumaninë vendëse në ndeshjen vendimtare të grupit në Ligën e Kombeve.
Aktualisht, Kosova i ka tri pikë më pak se Rumania dhe i nevojitet fitorja me më shumë se tre gola epërsi për ta marrë eventualisht primatin.
Më pas, më 18 nëntor, Dardanët do të kenë punë me Lituaninë në Prishtinë, kur edhe do ta mbyllin kampanjën e këtij edicioni në Ligën e Kombeve.