Demokracia në Veprim evidenton një sërë shkeljesh në fushatën e partive politike

Përfaqësuesi i Demokracisë në Veprim (DnV), Ngadhnjim Halilaj, në një intervistë për Telegrafin ka folur për ecurinë e fushatës të subjekteve politike për Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare që do të mbahen të dielën, më 14 shkurt.

Halilaj ka thënë se pas monitorimit në vazhdimësi të fushatës zgjedhore, janë gjetur shkelje në tubimet e partive politike.

Ai ka përmendur takimet e shumta nëpër oda të prijësve të listëve partiake dhe kandidatëve për deputetë, të cilët nuk i kanë respektuar masat antiCOVID.

Sipas tij, në shumicën e atyre ngjarjeve është kaluar numri i lejuar i personave në tubime, të cilët po ashtu nuk kanë mbajtur distancën e nevojshme si dhe nuk kanë bartur maska.

“Si DnV jemi duke i monitoruar të gjitha subjektet politike në shtatë komunat kryesore si dhe dy komuna me shumicë serbe. Për shkak të COVID-it është dashur të kemi numër më të vogël të vëzhguesve. I kemi 16 vëzhgues në terren. Kemi monitoruar mbi 140 ngjarje të subjekteve politike. Përveç tubimeve kanë hasur dhe në grupet e shënjestruara. Duhet të cekim edhe takimet nëpër oda, si nga prijësit e listës po ashtu edhe nga kandidatët. Jemi duke e pa me shqetësim që nuk janë duke u respektuar masat antiCOVID. Në shumicën e atyre ngjarjeve është duke kaluar numri i lejuar personave. Po ashtu edhe bartja e maskave nuk është duke u respektuar. Një pjesë e bartin vetëm në pjesën e gojës, një pjesë nuk e bartin si duhet”, ka thënë ai.

Ngadhnjim Halilaj, përfaqësues i Demokracia në Veprim

Halilaj po ashtu tha se një tjetër shqetësim nga terreni për subjektet politike është edhe mos paralajmërimi i ngjarjeve ditore të fushatave të subjekteve politike.

“Një shqetësim tjetër që e kemi nga terreni është mos paralajmërimi i ngjarjeve të subjekteve politike në Këshillat Komunale Zgjedhore. Kjo është një shkelje pasi subjektet politike obligohen të paralajmërojnë këto ngjarje”, ka thënë ndër të tjera Halilaj.