Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka folur për marrëdhëniet ndërpersonale me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për çka iu shtrua pyetje, por tha se dy qeveritë përkatëse “kanë marrëdhënie të shkëlqyera”.
“Nuk mund ta bëj një kuantifikim të tillë, por mund të them që kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme midis dy qeverive. E kemi bërë tregun e përbashkët energjetik, kemi hapur 26 vendkalime të reja kufitare për 200 mijë banorët e zonës ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, kemi mbajtur dy mbledhje të përbashkëta të qeverive me 58 marrëveshje të reja dhe gjithashtu po bëjmë bashkëfinancime në kulturë, në ekonomi e kështu me radhë, me ç’rast Kosova ka edhe dy zyra të veçanta doganore në Porto Romano dhe në Durrës. Do ta bëjmë edhe hekurudhën Prishtinë-Durrës”, tha Kurti.