I pari i futbollit shqiptar, Armand Duka ka folur edhe për ngjarjen e fundit që ka shkaktuar debate të mëdha.
Bëhet fjalë për bashkëpunimin e Federatës Shqiptare të Futbollit me atë të Serbisë, për organzimin e përbashkët të kampionatit europian të vitit 2027, për grupmoshat deri në 21-vjeç.
Pikërisht për këtë ka folur edhe Armand Duka, i cili e ka quajtur si një benefit për futbollin shqiptar, gjersa thotë së kjo do të jetë një “mesazh përtej sportit”.
“E para benefit sportiv është që ekipi jonë i U21 është pjesë e finaleve të europianit, por edhe infrastruktura sportive në Shqipëri ndryshon. Është një benefit tjetër. Bashkëpunimi i Shqipërisë me Serbinë i jep një shans më shumë për ta pasur këtë kampionat në Shqipëri sepse merret si një mesazh përtej sportit”, ka thënë fillimisht Duka për KlanTV.
Tutje, ai foli edhe për reagimet që kanë ardhur nga çdo anë, duke nisur nga Kosova e të gjitha trojet shqiptare.
Ai i ka quajtur disa si reagime të arsyeshme e disa të tjera si emocionale.
“Padyshim që ka opinione negative pse ne me Serbinë. Padyshim janë ndonjëherë edhe të arsyeshme ndonjëherë edhe emocionale, por ne duhet të mendojmë dhe tejkalojmë këto. Kush më mirë se futbolli mund të japë mesazhe paqeje, solidariteti dhe bashkëpunimi”, përfundoi ai.
Shqipëria po kthehet në vëmendjen e UEFA-s, e cila të martën e kësaj jave vendosi që të organizojë në Tiranë mbledhjen e komitetit ekzekutiv.