Erdogan merr dozën e dytë të vaksinës kundër Covid-19

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, të enjten e mori dozën e dytë të vaksinës kundër koronavirusit.

“E kam marrë dozën e dytë të vaksinës për Covid-19. Shpresoj t’i vaksinojmë të gjithë qytetarët tanë sa më shpejt që është e mundshme”, shkroi Erdogani në rrjetet sociale.

Më 14 janar, Turqia e filloi fushatën e vaksinimit masiv të popullsisë, duke nisur nga punëtorët shëndetësorë dhe zyrtarët e lartë shtetërorë për ta ngritur besimin e popullit ndaj vaksinës, shkruan Anadolu.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, Turqia deri më tani ka vaksinuar 2.88 milionë njerëz që nga fillimi i fushatës së vaksinimit.

Doza e dytë e vaksinës që po përdoret në Turqi jepet 28 ditë pas dozës së parë, ndërsa ata që janë shëruar nga sëmundja nuk do të vaksinohen nga katër deri në gjashtë muaj pas shërimit.

Ndryshe, Turqia deri më tani ka regjistruar mbi 2 milionë e 556 mijë të infektuar me SARS-CoV-2 dhe mbi 27 mijë viktima.