Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur stërvitjen e fundit para përballjes me Norvegjinë. Kjo ndeshje zhvillohet, nesër, në orën 19:00, në stadiumin “Ullevaal” në Oslo. Ky është testi i fundit për Dardanët para ndeshjeve zyrtare të Ligës së Kombeve, që nisin në shtator, e ku janë në grup me Rumaninë, Qipron dhe Lituaninë. Në seancën e sotme si pasojë e shqetësimit muskulor, Altin Zeqiri e ka braktisur para kohe stërvitjen dhe nesër do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore për të parë nëse do të mund të jetë i gatshëm për lojë.
Kosova nën drejtimin e Franco Fodës ka treguar shenja të mira në miqësoret e zhvilluara në mars kundër Armenisë dhe Hungarisë dhe tani synon që ta dëshmojë potencialin e saj edhe përballë norvegjezëve, të cilët në radhët e veta kanë yje si Erling Haaland dhe Martin Odegaard. Në konferencën për media para kësaj ndeshje, përzgjedhësi Foda theksoi se gjatë këtyre gjatë ditëve të grumbullimit kanë punuar mjaft mirë dhe lojtarët janë të motivuar për të treguar paraqitje të mirë.
“Kemi pasur përgatitje të mira në Prishtinë gjatë ditëve të këtij grumbullimi. Të gjithë futbollistët janë mirë dhe të gatshëm. Kemi pasur disa gjëra të mira që mund t’i marrim me veta nga ndeshja kundër Armenisë dhe Hungarisë. Fatkeqësisht disa lojtarë janë të lënduar na mungojnë, si Rashica dhe Muslija, por kemi shfrytëzuar këtë kohë stërvitjet në Prishtinë që lojtarët t’i kuptojnë sa më mirë parimet tona të lojës. Duam të luajmë me top dhe sa më dinamikë. Duam të provojmë sërish me presing të lartë dhe ta fitojmë topin sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Foda.
Ai tutje ka thënë se për Kosovën është e rëndësishme që në këtë ndeshje të funksionojë si ekip, në mënyrë që të përballet me sukses kundër një ekipi që në radhët e veta ka futbollistë shumë cilësor si Haaland e Odegaard.
“Natyrisht se duam të fitojmë ndeshjen nesër, por për mua është e rëndësishme se si luajmë dhe si do ta zbatojmë në lojë atë që kemi bërë në stërvitje”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, mesfushorin Valon Berisha, ka thënë se kjo miqësore është e veçantë për të, duke pasur parasysh se para pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA ka qenë pjesë e Norvegjisë dhe familja e tij jeton në këtë shtet.
“Kur unë kam luajtuar në Norvegji, kanë qenë lojtarë tjerë dhe trajner tjetër. Jemi të vetëdijshëm që kanë shumë lojtarë të mirë, por ne jemi të përqendruar në lojën tonë. Kemi dëshirë të tregojmë çka kemi ushtruar deri më tani dhe çka do të tregojme në fushë në të ardhmen. Jam rritur në këtë shtet dhe si i huaj në Norvegji ka qenë privilegj që kam pasur rastin të luaj. Por, unë jam krenar që kam vendosur që ta përfaqësoj Kosovën, vendin tim, gjakun tim dhe për Kosovën gjithmonë do ta lë shpirtin në fushë”, ka thënë Berisha.
Në ndeshjen e nesërme pritet që Dardanët të kenë mbështetje të madhe edhe nga bashkatdhetarët që jetojnë në shtetet skandinave.