Trajkoviq kujton Ivanoviqin: Edhe Lista kriminale Serbe duhet të gjykohet për vrasjen e tij

Kandidatja për deputete nga radhët Iniciativës Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Rada Trajkoviq, u prononcua për media nga vendi ku ishte vrarë politikani tjetër serb Oliver Ivanoviq.

Ajo tha se kishte zgjedhur pikërisht vendin për të respektuar përpjekjet e Ivanoviqit për të përmirësuar jetën e qytetarëve serbë në veri, si dhe për të kërkuar përgjigje rreth ngjarjes që i mori jetën atij.

Trajkoviq tha se familja e Oliver Ivanoviqit por edhe të tjerët duhet ta kuptojnë të vërtetën se kush e vrau dhe kush mori pjesë në organizimin e urdhrave për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Ajo shtoi se kandidatët e tjerë serbë që janë në garë në zgjedhjet e 14 shkurtit, përveç kandidatëve të Listës Serbe, nuk u lejohet të flasin lirshëm dhe të paraqesin programin e tyre para qytetarëve në veri të Kosovës.

“Ajo që ka mbetur tek ne dhe ajo që ruhet është kjo pjesë e veriut të Kosovës, kjo pjesë e lirisë, ku Oliver Ivanoviq dha jetën e tij dhe u vra. Dhe unë do të thosha, lufta e tij dhe misioni i tij, ideja e liria dhe vdekja për liri, janë diçka që i la hapësirë të paktën dikujt këtu të flasë dhe të shprehë pikëpamjet e tij”, theksoi Trajkoviq.

Trajkoviq theksoi se ishte shumë e zhgënjyer me procesin gjyqësor që po zhvillohet për vrasjen e Ivanoviqit, duke thënë se procesi vazhdimisht shtyhet.

Ajo deklaroi se priste që edhe përfaqësuesit e Listës Serbe të dilnin para gjykatës, të cilët, siç theksoi ajo, janë përgjegjës për realizimin e një videoje në të cilën Ivanoviq u vu në shënjestër si një tradhtar.

“Duhet t’ju them, unë nuk jam dikush që mendon se gjëja më e rëndësishme është të hysh në Parlamentin e Kosovës, por në këtë vend tani historik, unë jam këtu për të parë sa jemi dhe nga cilën anë jemi. Unë pres që kjo organizatë, unë do të thosha Lista kriminale Serbe, e cila bëri gjithçka për të parandaluar Oliver Ivanoviqin që të mos jetë me ne sot, duhet të ishte pjesë e procesit (gjyqësor) në Prishtinë, por jo vetëm ata”, tha Trajkoviq për kp.

Rada Trajkoviq vuri në dukje se fushata në komunat me shumicë serbe është e pamundur dhe se serbët janë në errësirë të plotë mendore.

Në lidhje me mungesën e gazetarëve të veriut në këtë aktivitet, Trajkoviq shtoi se ajo nuk e di pse nuk ishin aty dhe nëse është çështje frike apo motivi financiar, por ajo pohoi me siguri se Oliver dha jetën e tij për liri, posaçërisht për lirinë e të gjithë njerëzve në veri të Kosovës.