Me kalimin e viteve, recetat e këtij gatimi u pasuruan dhe u përvetësuan nga amvisat anëembanë botës.
Rizoto është një specialitet italian me bazë orizi që gatuhet me lëngun e mishit, peshkut apo të perimeve.
Receta e parë e këtij gatimi kremoz daton në vitin 1809 dhe përmbante: gjalpë, salçice, lëngun e kockave, qepë dhe shafran.
Me kalimin e viteve, recetat e këtij gatimi u pasuruan dhe u përvetësuan nga amvisat anëembanë botës.
Aftësia për të përgatitur një rizoto të mirë është asi nën mëngë për çdo amvisë sepse një pjatë e tillë është shumë e shijshme dhe përgatitet lehtë, siç do ta mësoni në këtë artikull të AgroWeb.org
Si Të Gatuani Rizoton Perfekte Në Shtëpi
Rizoto është një pjatë, gatimi i së cilës kërkon shumë vëmendje dhe kujdes.
Sipas shefave italianë të kuzhinëës, rizoto nuk kërkon më shumë se 20 minuta për tu përgatitur por sekreti qëndron tek teknika e përdorur. cilësia e orizit si dhe temperatura e lëngut të përzgjedhur.
Ky i fundit duhet të jetë i ngrohtë sepse një lëng i ftohtë nxjerr një rizoto jo të mirë.
Përbërësit:
8 filxhanë me lëng pule ose perimesh,
1 lugë gjelle me gjalpë pa kripë (dhe më shumë)
1 qepë e njomë e prerë hollë
Kripë,
2 filxhanë me oriz për rizoto
Gjysëm filxhani çaji me verë të bardhë të thatë,
1 filxhan me djathë kaçkavall të grirë.
Përgatitja
Në fillim duhet të ngrohni lëngun e perimeve ose të pulës në një tenxhere.
Lëngu i ngrohtë përshpejton gatimin e rizotos.
Më pas merrni një tigan dhe shkrini gjalpin.
Me të duhet të kavërdisni qepën me kripë për rreth 4 minuta deri sa të zbutet.
Shtoni orizin dhe përziejeni deri sa çdo kokërr orizi të jetë yndyrosur.
Nëse duhet mund të shtoni më shumë gjalpë.
Përziejeni orizin deri sa majat e çdo kokrre të jenë bërë e tejdukshme, pra për rreth 2 minuta.
Më pas shtoni verën dhe përziejeni herë pas here derisa ajo të jetë përthithur plotësisht dhe tenxherja të jetë thuajse e thatë.
Në këtë pikë, duhet të shtoni gjysmë filxhani me lëngun e përzgjedhur, përziejeni dhe kur të jetë përthithur pak, shtoni dalëngadalë pjesën e mbetur.
Hedhja graduale e lëngut është thelbësore për një rizoto të shijshme.
Shtoni lëng deri sa orizi të mos jetë plotësisht i butë ndërkohë që e gjithë masa të jetë kremoze.
Rizoto quhet i bërë kur orizi është pak i fortë ndërsa e gjithë masa është e trashë.
Pjata përfundon duke shtuar edhe pak gjalpë dhe djathë kaçkavall për ta bërë rizoton sa më kremoze.
Rizoto duhet servirur menjëherë sepse në të kundër do të humbasë kremozitetin.