Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV) knë një konferencë për media kanë shpalosur të gjeturat për ecurinë e gjashtë ditëve të fushatës zgjedhore, përfshirë mbuleshmërinë që mediat tradicionale dhe sociale i kanë kushtuar aktiviteteve zgjedhore.
Ngadhnjim Halilaj nga DnV njoftoi se po vazhdon monitorimi i aktiviteteve zgjedhore të subjekteve politike në shtatë komunat më të madhe të vendit dhe dy komuna me shumicë serbe.
Ai tha se fushata zgjedhore është duke u zhvilluar në një atmosferë të qetë, më intensitet të shtuar të aktiviteteve zgjedhore nga dita në ditë, me takime të formateve të ndryshme përfshirë ato virtuale dhe takime të drejtpërdrejta me qytetarë.
Fushata në numra
Në gjashtë ditët e fushatës zgjedhore, DnV ka monitoruar 98 aktivitete të subjekteve politike, ku pjesa mbizotëruese e këtyre aktiviteteve zgjedhore kanë qenë tubime publike me pjesëmarrje të konsiderueshme të qytetarëve por nuk kanë munguar as vizitat nëpër familje. Shqetësues mbetet fakti që subjektet politike vazhdojnë të mos respektojnë masat anti-COVID, duke tejkaluar numrat e lejueshëm të grumbullimit të qytetarëve në tubime publike, duke mos respektuar rregullat për distancë sociale dhe mbajtjen e maskave në mënyrë të duhur. Inspektoratet komunale në anën tjetër nuk janë duke u angazhuar për të siguruar zbatimin e plotë të këtyre masave apo dhe shqiptimin e dënimeve meritore për mosrespektim e tyre.
Halilaj tha se trendët e kësaj fushatë zgjedhore në shumë aspekte mbeten të njëjta me fushatën e mëparshme. Përfaqësimi gjinor mbetet tejet i ulët, ku gratë përbëjnë 25% të pjesëmarrësve në aktivitetet zgjedhore dhe në vetëm 27% kandidatet gra i janë adresuar elektoratit. Prezencë njëjtë e ulët e grave është shënuar dhe në media.
Në 259 debatet televizive të monitoruara përgjatë periudhës 13 janar – 7 shkurt 2021, në 9 kanale televizive, nga gjithsej 402 kandidatë të subjekteve politike, vetëm 21% e tyre ishin gra. Hapësirë më e paktë grave i është ofruar edhe gjatë kronikave zgjedhore ku për periudhën 03 – 07 shkurt 2021, gratë përbënin vetëm 6% të minutazhes së përgjithshme.
I njëjti trend vihet re dhe tek spotet reklamuese ku gratë janë prezentë në vetëm 17% të minutazhes së përgjithshme. Pavarësisht faktit që ligji për barazi gjinore flet për përfaqësim të barabartë, subjektet politike vazhdojnë të mos e respektojnë të njëjtin dhe të mos ju ofrojnë grave qasje të barabartë në garën zgjedhore.
Një tjetër aspekt i fushatës, ai i ofrimi të qasjes së personave me aftësi të kufizuara në aktivitetet zgjedhore, nga të dhënat e terrenit, del se në 32% të aktiviteteve të monitoruara, personave me aftësi të kufizuara nuk iu është ofruar qasje.
Shkeljet në fushatë
DnV ka evidentuar në mënyrë të vazhdueshme shkelje nga subjektet politike të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat zgjedhore që obligon subjektet garuese për të njoftuar KKZ-të për aktivitetet e tyre zgjedhore 24 orë përpara. Nga terreni raportohet që ka pas jo transparencë nga subjektet politike për aktivitetet e tyre zgjedhore dhe rëndom lokacioni i të njëjtave është ndryshuar ad hoc. Mos njoftimi i aktiviteteve zgjedhore është evidentuar në 32% të rasteve të monitoruara. Për këtë arsye, DnV ka dërguar tre ankesa pranë PZAP-së duke kërkuar që të ndërmerren masat e duhura.
Një aspekti tjetër i fushatës është dhe përdorimi i resurseve publike i cili është e rregulluar me ligj për të garantuar një garë të barabartë në mes të subjekteve politike dhe mbi të gjitha për të parandaluar keqpërdorimin apo shfrytëzimin e resurseve publike shtetërore.
Gjatë kësaj fushate zgjedhore, ky fenomen është evidentuar në më pak raste se në të kaluarën. Përgjatë gjashtë ditëve fushatë, DnV ka evidentuar pjesëmarrje e shërbyesve civil në 7 të aktiviteteve të monitoruara, në nga dy aktivitete të LDK-së, AAK-së dhe PDK-së si dhe në një aktivitet të Nisma Socialdemokrate. Ndërsa veturat zyrtare janë përdorur në 5 aktivitete të monitoruara, përkatësisht në 4 aktivitete të organizuara nga subjekti politik LDK dhe një aktivitet të VV-së.
Fushata në përmbajtje
Premtimet elektorale për temat si zhvillimi ekonomik, bujqësia dhe punësimi, sigurimet shëndetësore, arsimi, pensionet dhe mirëqenia kanë mbizotëruar diskursin e fushatës që nga fillimi i saj. DnV ka evidentuar që pothuajse të gjitha subjektet politike i kanë publikuar programet e tyre zgjedhore, ndonëse me një vonesë të konsiderueshme. Megjithatë DnV pret nga subjektet politike që të shpalosin ofertat e tyre zgjedhore me anë të diskutimeve përmbajtjesore dhe në formën online në mënyrë që t’iu mundësohet të gjithë qytetarëve qasje më e lehtë në to.
Akuza të ndërsjella mbi baza partiake dhe elemente të gjuhës së urrejtjes në baza politike janë evidentuar në 15% të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara, kjo është vënë re në 4 aktivitete zgjedhore të LDK-së dhe 4 të PDK-së, në 2 aktivitete të AAK-së dhe 2 të Nisma-së, 2 të VV-së.
Ndërsa, trend në rritje në ditët e fundit të fushatës është edukimi i votuesve që është shënuar në 33% të aktiviteteve të monitoruara. Subjektet politike e kanë bërë këtë duke ndarë vizitë karta të subjektit të tyre apo kandidatëve të caktuar, duke ofruar informacione për mënyrën e votimit, informacione për rastin kur votohen kandidatët e pa certifikuar si dhe ka pasur raste kur i është kërkuar qytetarëve për të votuar për kandidatët e një rajoni të caktuar.
Fushata në kosto
Florent Spahija nga KDI/DnV njoftoi se gjashtë ditë para fillimit zyrtar të fushatës, subjekteve politike garuese u është dërguar me email një pyetësor për të kuptuar mbi planifikimet financiare që subjektet politike kishin për fushatë. Ky aktivitet kishte për qëllim të masë transparencën e subjekteve lidhur me shpenzimet e tyre sidoqoftë, vetëm tre subjekte politike i janë përgjigjur kësaj thirrje përkatësisht VV, KDTP dhe Partia Fjala. Ndërsa subjektet e tjera politike nuk kanë shpërfaqur gatishmërinë e tyre për të treguar transparencë në financimin dhe shpenzimet e tyre.
Në anën tjetër, Spahija shtoi se DnV në këto gjashtë ditë të para të fushatës po vërehet një trend ndryshe sa i përket vendosjes së posterëve në hapësira publike. Në komunat ku DnV është duke vëzhguar, në këto gjashtë ditë nuk është vërejtur vendosje e posterëve të subjekteve apo kandidatëve në hapësira publike e të ndaluara me ligj, që përbën një zhvillim shumë pozitiv në ruajtjen e ambientit dhe hapësirave publike në përgjithësi.
Rekomandimet e DnV-së
-DnV kërkon nga të gjitha subjektet politike garuese që të zbatojnë në mënyrë strikte masat anti-COVID gjatë kohës sa po zhvillojnë aktivitete zgjedhore, duke kufizuar numrin e pjesëmarrësve e duke mbajtur distancën sociale e fizike.
-DnV iu bën thirrje të gjitha subjekteve politike që t’i publikojnë programet e tyre duke i bërë ato lehtë të qasshme për të gjithë qytetarët.
– Dnv iu bën thirrje subjekteve politike që t’i bëjnë publike shpenzimet e tyre gjatë fushatës.
-DnV iu bën thirrje subjekteve politike që t’i lajmërojnë të gjitha tubimet e tyre ashtu siç e përcakton rregulla zgjedhore dhe Ligji.
– DnV iu bën thirrje KKZ-ve dhe Policisë së Kosovës që në momentin që hasin në tubime të pa lajmëruara ta njoftojnë automatikisht PZAP-në.