Shtëpia më e madhe e futbollit në Kosovë ka njoftuar se sot(e enjte) presidenti Agim Ademi ka mirëpritur futbollistin Leart Binakun nën shoqërimin e prindit të tij.
Binaku luan për ekipin e R.F.C Searing në kategorinë U19 në Belgjikë dhe ka zhvilluar një ndeshje miqësore të kategorisë u19 të Kosovës. Ademi i dhuroi Leart Binakut fanellën e Kombëtares së Kosovës, duke i uruar suksese të vazhdueshme në karrierë.
Njoftimi i plotë nga Federata e Futbollit të Kosovës:
“Presidenti Agim Ademi ka pritur sot në zyrën e tij futbollistin Leart Binaku bashkë me prindin e tij, në një takim miqësor. Learti është futbollist nga Kosova, i cili aktualisht luan për R.F.C Searing në kategorinë U19 në Belgjikë. Ai është një talent i shquar, i cili po i tregon aftësitë e tij në futbollin belg. Po ashtu, Learti ka shfaqur një përkushtim të thellë ndaj Kombëtares së Kosovës.
Ai pati mundësinë të luante për Kosovën në një ndeshje miqësore të kategorisë U19 në shtator kundër Lihtenshteinit, teksa ka shprehur dëshirën për të përfaqësuar Kombëtaren e Kosovës edhe në të ardhmen, dhe kjo është në përputhje me planet e përzgjedhësit të Kombëtares U19, Adil Maliqi për vitin 2024.
Në përfundim të takimit, presidenti Ademi i dhuroi Leart Binakut fanellën e Kombëtares së Kosovës, duke i uruar suksese të vazhdueshme në karrierë dhe kësisoj të kontribuojë edhe në fanellë dardane.”