Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar në rrjetin social “Facebook” për ndeshjen Rumani – Kosovë teksa ka paralajmëruar ankesë në organet e UEFA-s dhe në CAS.
Ndeshja kualifikuese për “Euro 2024” u ndërpre në pjesën e parë për 50 minuta, ku të dyja ekipet u larguan nga fusha pas shpalosjes së mesazhit “Kosova është Serbi” nga huliganët e grupit rumun “Uniti sub tricolor”.
Kosova shumicën e ndeshjes e zhvilloi më një lojtar më pak pas përjashtimit të Vedat Muriqit.
Në fund humbi me rezultat 2:0.
Postimi pa ndërhyrje i Agim Ademit në faqen e tij në rrjetin social Facebook
Dëshira, vullneti e përgatitja e futbollistëve dhe e të gjithëve neve në federatë, por edhe e tifozëve “Dardanët” ka qenë që dy ndeshjet e këtij muaji t’i përmbyllim me rezultate pozitive.
Përderisa kundër Zvicrës, si njëra prej top-ekipeve kombëtare të Evropës, arritëm të shkëpusim një pikë, kundër Rumanisë nuk ia arritëm këtij qëllimi, për shumçka që prodhoi kjo ndeshje.
Provokimi i rëndë nga tifozeria rumune shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes për një periudhë të gjatë. Ndeshja rifilloi me insistimin e gjyqtarit pas tërheqjes së pankartave diskriminuese e raciste ndaj vendit tonë, ndonëse thirrjet e kohëpaskohshme kundër futbollistëve dhe shtetit tonë vazhduan.
I gjithë ky episod ndikoi pashmangshëm tek ekipi ynë. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte në fund të pjesës së parë gjyqtari e përjashtoi nga loja sulmuesin tonë, duke bërë që tek kundërshtari të kalojë edhe epërsia numerike.
Sidoqoftë kjo humbje, e ndikuar prej këtyre faktorëve nuk do të na zmbraps. Përkundrazi ajo të na bëjë më fortë e më të bashkuar. Kemi lojtarë përplot talent e entuziazëm për ta dhënë më të mirë e tyre për atdheun dhe pa dyshim se sukseset nuk do të vonojnë.
Jemi krenarë pafundësisht me këta djemë të artë, të cilët nuk rreshtin së luftuari për këtë fanellë e për shtetin tonë, ndonëse në rastet kur mungojnë rezultatet kritikat ndaj tyre janë të ashpra e të pamatura nga një pjesë e opinionit.
Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar e me një qëllim – për Kosovën tonë!
Jemi të përkushtuar ndaj zhvillimit të futbollit të Kosovës dhe mbështesim lojtarët tanë në çdo moment, pavarësisht sfidave që mund të hasin. Jemi një kombëtare e bashkuar dhe krenaria për fanellën tonë është gjithmonë mbi çdo gjë tjetër.
Ne mbetemi të vendosur për të përmirësuar lojën tonë dhe për të arritur suksese në nivel ndërkombëtar. Këto sfida na forcojnë dhe nuk do të na pengojnë të ecim përpara. Ne, do të kërkojmë drejtësi dhe respektim të rregullave të “fair-play-it” në futboll përpara organeve të UEFA-s dhe në CAS.
Diskriminimi dhe huliganizmi nuk kanë vend në futbollin modern dhe ne jemi të vendosur të mbrojmë integritetin e lojës.