Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur sot në mesditë stërvitjen e radhës para duelit me Zvicrën në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, e cila zhvillohet të shtunën.
Në seancën e sotme, e cila u mbajt në Kampin Nacional në Hajvali, përzgjedhësi Primozh Gliha ka punuar në detaje në aspektin taktik, në vendosjen sa më të mirë të ekipit në fushë, por edhe në skema të ndryshme gjatë lojës.
Atmosfera dhe puna e futbollistëve edhe në këtë stërvitje ka qenë mjaft e mirë, teksa Fidan Aliti është shprehur optimistë se mund t’u kthehen rezultateve pozitive pikërisht kundër një kundërshtari të fortë si Zvicra.
“Këto tre ditë kemi punuar shumë taktikisht në përgatitje të lojës me Zvicrën. E dimë rëndësinë e ndeshjes dhe besoj se edhe këto dy ditë para ndeshjes na duhen përgatitje për të qenë të gatshëm për ndeshje. Është emocionuese sepse kam lindur në Zvicër, familja jeton atje”.
“Zvicra është një shtet dhe një kombëtare, ku me punë dhe disiplinë ka arritur në këtë nivel. E dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë, por me tifozët tanë dhe mbështetjen e tyre shpresojmë që tri pikët të mbesin këtu”.
“Do të jetë emocion i madh të hyjmë në stadium, i cili do të jetë i mbushur përplot me tifozë dhe mbështetja e tyre na bën më të fortë. Do të jetë e vështirë të fitohet ndeshja pa mbështetjen e tifozëve Dardanët. Na duhet mbështetja e tyre”, ka theksuar Fidan Aliti.