Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të shtunën ka pranuar 2 mijë e 776 mijë zarfe të votimit përmes postës së shpejt. Ndërsa fletëvotimet për votimin në Kosovë pritet të arrijnë në vend ditën e premte.
Kështu ka bërë të ditur gjatë mbledhjes së KQZ-së, kryeshefi Ekzekutiv i KQZ-së, Burim Ahmetaj, ku ka dhënë edhe informacione të tjera lidhur me përgatitjet për procesin zgjedhor.
Ai ka thënë se pranimi i votave të diasporës ka shkuar sipas procedurave të parapara dhe nën përcjelljen e policisë.
“Të shtunën i kemi marrë rreth 3 mijë zarfe apo pako të votimit përmes postës, nga posta e shpejtë DHL. Ky është kontingjenti i parë që e kemi marrë më datën 6 shkurt, ku kanë qenë 2 mijë e 776 pako me fletëvotime, të cilat janë të vendosura në 22 thasë. Pra është bërë sipas procedurës, ku e kemi personin e autorizuar nga KQZ për t’i pranuar. Sigurisht që është bërë me përcjelljen e policisë dhe me vëzhgimin e vëzhguesve”, tha ai.
Ai njoftoi deri ku kanë arritur me përgatitjet për procesin zgjedhor, me ç’rast tha se janë në fazën e furnizimeve dhe shërbimeve.
Më 8 shkurt ka filluar shtypja e listave përfundimtare të votuesve, për çka Ahmetaj tha se lidhur me këtë aktivitet do të shtypen 1 mijë e 200 lista komunale të votuesve për qendrat e votimit, tavolinat e votimit si dhe 2 mijë e 382 lista përfundimtare të votuesve.
“Aktualisht jemi në fazën e trajnimit të të gjitha trupave zgjedhor me qëllim të organizimit të zgjedhjeve. Janë bërë edhe të gjitha përgatitjet për t’i furnizuar me materiale furnizuese dhe me shërbime të tjera. Janë shpërndarë kabinat e votimit, kutitë e votimit dhe materialet e tjera fillestare që janë shpërndarë deri më tani. Dhe, sipas të gjitha informacionet që kemi pritet që fletëvotimet të arrijnë ditën e premte në Kosovë. Jemi në procesin e shtypjes së listës së fletëvotimeve. Për dallim prej zgjedhjeve të kaluara nuk kemi pasur mundësi të shkojmë të shohim shtypjen e fletëvotimeve nga afër, për shkak të kushteve pandemike, për shkak që të gjitha hotelet kanë qenë të mbyllura”, bëri të ditur ai.
Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, shtoi se janë në fazën e trajnimit të këshillave të vendvotimeve. Ai bëri të ditur se ditën e diel trajnimi i këshillave ka filluar në komunat e mëdha si në Prishtinë, Prizren, Gjakovë dhe Podujevë, teksa theksoi se sot ka filluar trajnimi edhe në komunat e tjera.
Ndërsa, anëtari i KQZ-së nga VV-ja, Sami Kurteshi, ka pyetur sesi do të veprohet me personat që janë të infektuar me COVID-19, e që nuk kanë mundur të dalin për t’u lajmëruar tek ekipet mobile për të votuar.
“Unë e kam një mesazh, që e tërë familja është me COVID, ata me gjasë nuk e kanë pasur mundësinë për t’i lajmëruar ekipet mobile. E tërë familja do të thotë, s’mundet askush të shkojë të lajmërohet. Si do të veprohet me këta njerëz, e lajmëron IKSHP-ja KKZ-në? Cilat do të jenë veprimet që ata njerëz të kuptojnë si duhet të veprojnë”, parashtroi pyetjen Kurteshi.
Për këtë, Ahmetaj tha se do të ndjekin praktikën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 29 nëntor në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.
Sipas tij, zyrtarët komunalë së bashku me shtabet komunale emergjente mund të identifikojnë personat e karantinuar në mënyrë që t’iu mundësojnë këtyre të fundit që të votojnë.
“E kemi praktikën e zgjedhjeve për kryetar komune në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut, ku zyrtarët tonë komunal kanë kontaktuar direkt me shtabet lokale”, u shpreh ai.