Gliha flet para dy përballjeve të muajit shtator: Duhet të jemi gati edhe të vdesim në fushë, pasi luajmë për ekipin kombëtar

Përfaqësuesja e Kosovës është grumbulluar për ndeshjet e muajit shtator, ku do t’i zhvilloj dy sosh.

Dardanët do të ndeshen me Zvicrën më 9 shtator në Prishtinë, derisa tre ditë më vonë përballen me Rumaninë në udhëtim.

Përzgjedhësi i Kosovës, Primoz Gliha ka folur në konferencën për shtyp duke thënë se duhet të jenë gati dhe të vdesin në fushë për të marrë më të mirën.

“Ne duhet të jemi gati edhe të vdesim në fushë, pasi luajmë për ekipin kombëtar dhe për një futbollist profesionist, nuk ka gjë më të rëndësishme. Nuk luajmë për para, por për dinjitet dhe duhet ta tregojmë në fushë këtë”,  ka thënë fillimisht Gliha.

Kosova ka disa mungesa të rëndësishme për ndeshjet e muajit shtator, derisa Gliha ka zbuluar se kishin në plan ta grumbullojnë edhe Lindon Emërllahun e Ballkanit, por që talenti therrandas u lëndua.

“Në futboll, ashtu si në jetë, jo çdo gjë shkon ashtu siç ne duam. Megjithatë ne nuk jemi këtu për të qarë për problemet që kemi, por për të gjetur zgjidhje, në mënyrë që të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz në fushën e blertë. Tani asgjë nuk është e lehtë, pasi ne kishim në plan grumbullimin e Emërllahut, por ai u lëndua”, u shpreh Gliha.

Krejt në fund Gliha foli edhe për listën, duke treguar edhe arsyen se pse janë grumbulluar edhe disa futbollist të Kosovës U21.

“Besoj që e keni parë listën dhe aty ka disa emra futbollistësh të rinj. Janë disa futbollistë që kanë qenë pjesë e Kosovës U21 dhe po përpiqemi të bashkëpunojmë, për t’i vënë sa më shpejt në dispozicion të skuadrës së parë”.

“Tani do të punojmë për të parë rezultatet në fushën e lojës. Rezultati është primar dhe në funksion të arritjes së tij, do të zgjedhim edhe futbollistët e skemën”, u shpreh trajneri slloven i Kosovës.