Presidenti Agim Ademi është pritur sot nga kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, në zyrën e këtij të fundit. Gjatë këtij takimi krerët e të dy institucioneve diskutuan për gjendjen e infrastrukturës sportive në Prishtinë, si dhe për ndeshjet e ekipeve tona në garat ndërkombëtare dhe për eventet të cilat janë paraparë nga komuna që të organizohen në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, si dhe nevojën e ndërtimit të stadiumit të ri në kryeqytet.
Presidenti Ademi e njoftojë të parin e Komunës së Prishtinës me të gjithë orarin dhe vështirësitë që po i has federata me fushën e stadiumit ‘Fadil Vokrri’, duke pas parasysh aktivitetet e ngjeshura të ekipeve Kombëtare dhe katër klubeve tona, të cilat janë duke marrë pjesë në garat evropiane, e po ashtu edhe eventet e planifikuara në stadium. Kreu i FFK-së vuri në pah se është shumë e vështirë të ruhet fusha dhe nuk ka as hapësirë kohore për ta ndërruar barin. Prandaj, theksoi presidenti Ademi, jemi në situatë të vështirë, pasi që Kosovës i ka mbetur vetëm ky stadium i kategorisë së IV të UEFA-s. Me këtë rast, ai edhe një herë bëri thirrje që sa më parë të vazhdohet puna në stadiumet në të cilat janë ndërprerë punimet.
Nga ana e tij kryetari i kryeqytetit premtoi se do të angazhohet për të rregulluar dhe përmirësuar gjendjen e stadiumit “Fadil Vokrri”. Ai gjithashtu njoftoi se ditëve në vazhdim do të shpallet konkursi i kompanive projektuese për ta përzgjedhur projektin më të mirë për stadiumin e ri i cili do të ndërtohet në Prishtinë dhe do të jetë në shfrytëzim të plotë nga FFK-ja me ekipet Kombëtare si dhe për ngjarje tjera të kryeqytetit. Ky stadium do të përmbushë standartet e UEFA-s dhe FIFA-s dhe do të shërbejë për ndeshjet zyrtare të garave kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare.
Projekti do të mbështetet në bashkëpunimin midis Komunës së Prishtinës dhe FFK-së. Stadiumi i ri pritet të ketë një kapacitet prej rreth 25.000 ulësesh dhe do të plotësojë kërkesat e publikut të kryeqytetit dhe të gjithë Kosovës. Presidenti Ademi dhe ekipi i tij u shprehën të kënaqur me takimin dhe diskutimet e zhvilluara me kryetarin Rama dhe uruan që ky projekt të realizohet sa më shpejtë.