Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, deklaroi se duhet t’i kërkohet dorëheqje kryeministrit të vendit, Albin Kurti.
Këtë deklaratë ajo e dha duke komentuar përgjimet e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me Slavko Simiqin e Listës Serbe.
Madje sipas deputetes Musliu-Shoshi, Mimoza Kusari-Lila nuk do të kishte guxim të fliste me asnjë përfaqësues të komuniteteve, pa pasur leje nga Kurti dhe koordinatorja e komiteteve dhe anëtares së kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali.
“Nuk mendoj që duhet t’i kërkohet dorëheqje Mimozës, mendoj që duhet t’i kërkohet dorëheqje Albin Kurtit. Kryeministri ka folur, nuk ka folur Mimoza, sepse ajo nuk përfaqëson asgjë më shumë, ajo në fakt është ushtruese detyre e shefes së grupit parlamentar në VV. Ne kemi të bëjmë me një grup parlamentar i cili nuk guxon asnjë nga deputetët të kenë një fjalim nëse nuk e ka kontrolluar Dejona Mehali. Dejona është ajo e cila udhëheq komplet grupin parlamentar. Unë nuk e besoj që Kusari-Lila ka guxuar të flasë me përfaqësues të komuniteteve, nëse nuk e ka pasur lejen dhe të jetë koordinuar me Kurtin dhe Mehalin”, deklaroi Musliu-Shoshi në emisionin “Këndi i Debatit”.
Në hyrje të bisedës, Slavko Simiq ia përmend Kusari-Lilës një bisedë që kjo e fundit e ka bërë me Milan Radojiçiqin. Njeriu në listën e zezë të Amerikës, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe dhe i dyshuar për rastin “Brezovica”.