Giresse tregon objektivin e qartë të Kosovës për ndeshjen ndaj Bjellorusisë

Kosova është mysafire e Bjellorusisë për ndeshjen e katërt të fazës kualifikuese për ‘Euro 2024’ në kuadër të Grupit I.

Për shkak të sanksioneve, skuadra nikoqire nuk mund t’i luajë takimit si vendas dhe derisa sfidat tjera i ka zhvilluar në Serbi, ndaj Dardanëve do të luajë në Budapest të Hungarisë.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, ka thënë se do të përpiqen të marrin rezultatin më të mirë të mundshëm në sfidën e nesërme (e hënë).

Ai ka thënë se e kanë analizuar lojën e bjellorusëve, por qëllimi është që t’i detyrojmë ata t’i përshtaten lojës sonë duke ua imponuar atë.

Pikët e plota janë të domosdoshme për Kosovën për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim, ashtu që trajneri pohon se angazhimi duhet të jetë për të shënuar gola, në mënyrë që ta arrijmë qëllimin e fitores.

Dardanët kanë tri pikë nga tri barazime në po aq ndeshje të zhvilluara në Grupin I, derisa Bjellorusia i ka të gjitha humbje.